I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin, Matthew Palmer që ndodhet aktualisht në Kosovë për një vizitë zyrtare, u bëri thirrje udhëheqësve të partive në Shqipëri të zgjidhin me vullnetin e tyre ngërçin politik, që ai e quajti të fabrikuar.
Ai iu drejtua me një thirrje opozitës jashtë parlamentit.
“Një rol për ju ekziston. Merreni këtë rol. Bojkoti nuk ju ka sjellë fuqi më të madhe politike. Ai nuk solli zgjedhje të parakohshme dhe nuk mund të sillte të tilla.”
Zoti Palmer i bëri thirrje opozitës të shfrytëzojë rastin për të negociuar me vullnet të mirë Reformën Zgjedhore që kërkon.
Ai tha se komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të lehtësojë një përpjekje serioze në këtë aspekt.
Në këtë mënyrë, sipas tij opozita do të mund t’i paraqesë popullit një arritje konkrete për të vendosur përmes një procesi të drejtë zgjedhor drejtimin që ajo dëshiron të marrë vendi.
Zoti Palmer foli edhe për Reformën në Drejtësi.
“Fakti që më pak se 50% e mbi 160 gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar vettingut kanë arritur ta kalojnë atë, është tregues se sa i korruptuar dhe i lidhur me krimin e organizuar ka qënë sistemi i deritanishëm”, tha ai.
Zoti Palmer shtoi se ky është fundi i fillimit të pandëshkueshmërisë, siç u vërtetua edhe nga goditja e bosëve, dikur të paprekshëm të krimit, si Klement Balili.