Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli të premten gjendjen e krizës në në përpjekje për t’u përballur me situatën e krijuar nga koronavirus, që prej disa javësh po merr mesatarisht njëzet jetë njerëzish në ditë. Vetëm në 24 orët e fundit u regjistruan 39 viktima.
Gjendja e krizës nënkupton marrjen nën menaxhim nga shteti të të gjitha kapaciteteve dhe burimeve në dispozicion të komunave të vendit, përfshirë edhe spitalet private.
Spitalet dhe institucionet private shëndetësore do të menaxhohen nga shteti gjatë periudhës së pandemisë.
Disa nga pronarët e klinikave private nuk e kanë kundërshtuar vendimin, por kanë bërë me dije se kapacitetet e tyre janë të mbingarkuara dhe vetëm pak shtretër kanë mbetur në dispozicion. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe u takua të premten pasdite me drejtues të spitaleve private për të rënë dakrt mbi mënyrën e bashkëpunimit. Mjekët e spitaleve private po ashtu duhet të vihen në dispozicion sipas nevoja për shkak të pandemisë. Ndërkohë autoritetet shëndetësore po i transformojnë disa prej klinikave në qendra të trajtimit të COVID-it.
Gjendja e krizës nuk nënkupton shtetëzimin e këtyre institucioneve private. Ato do të kompensohen deri në 30 përqind të çmimit apo vlera e tregut për shfrytëzimin e burimeve të tyre, për shtrimin e pacientëve dhe ilaçet. Kjo masë që pritet të hyjë në fuqi nga dita e sotme, 20 nëntor dhe do të zgjasë për tridhjetë ditë.
Autoritetet më të larta shtetërore dhe shëndetësore thonë se gjendja me koronavirusin është jashtëzakonisht serioze dhe vendin e pret një periudhë kritike.
Me gjendjen e krizës do të aktivizohet ushtria, e cila do ta mbështesë policinë në sigurinë në spitale.
Gjendja e krizës nuk ka lidhje me orën policore apo izolimin e plotë. Nëse ka nevojë për këtë, qeveria do të marrë një vendim të ri, por kryeministri Zoran Zaev tha se në këtë fazë nuk po shqyrtohet një masë e tillë.
Për gjendjen e krizës është formuar një komitet brenda Qendrës për Menaxhimin e Krizave, ndërsa pritet të plotësohet me ekspertë të shumë fushave si në Shkup edhe në qytetet tjera të vendit.
Maqedonia e Veriut është vendi më i prekur jo vetëm në Ballkan por dhe më gjerë për nga numri i rasteve dhe vdekjeve si rezultat i pandemisë COVID-19 dhe të dhënat e fundit zyrtare flasin për 1462 viktima. Nga 52449 të prekur deri më tani, 20035 janë raste aktive.