Ish-deputeti i PD-së Florjon Mima propozon 4 zgjidhje për të ndihmuar qytetarët dhe ekonominë në kushtet e pandemisë nga COVID-19: anulimi i PPP-ve, dëgjimi i sipërmarrjes, çeqe për punëtorët dhe fermerët.
Mima shprehet se “shikoni paketën e ndihmës së Kosovës për qytetarët e bizneset. Masa dinjitoze, njerëzore dhe me plot sakrifica, që gjysma e kombit bën për njerëzit dhe ekonominë e vet. Me një buxhet sa gjysma e këtij tonit heq mënjanë trefishin e shumës sonë”.
“Qeveria shqiptare nga ana tjetër, ka miratuar një paketë anemike dhe tërësisht të pamjaftueshme. Koha thërret për zgjidhje madhore, pasi bëhet fjalë për ekzistencën e ekonomisë sonë e të jetës se bashkëqytetarëve tanë të cilët mund t’i shpëtojnë virusit por mund të ngelen në kthetrat e urisë, kequshqyerjes, mungesës së të ardhurave por edhe të mungesës së mallrave e shërbimeve jetike në treg”, tha ai.
Ish-deputeti i PD-së Mima propozon që të anulohen PPP, të dëgjohet sipërmarrja, e të jepen çeqe për çdo punëtor që rri në shtëpi dhe çdo fermer.
“Dil mbi veten dhe anulo PPP-të e panevojshme që ke miratuar. Pranoje që më mirë të anulohen ato, sesa të pllakosë skamja në vend. Ekonomia e vendit dhe jetët e shqiptarëve kanë më shumë rëndësi se disa kontrata abuzive pa asnjë vlerë për njerëzit, dhe që kanë përpirë pjesën e luanit nga buxheti. Dëgjo zërin e sipërmarrjes. Janë ata motorët që po fiken, por janë ata që e kanë mbushur në 30 vjet arkën e përbashkët, dhe sot kur kanë nevojë, kanë të drejtën absolute të marrin nga arka e përbashkët. Nuk mundet thjesht t’u thuash ‘merrni kredi’. Kredia është një peshkaqen që po ua nguli dhëmbët, do t’ua shqyejë mishin me llokma. Jepu çekun për çdo punëtor që rri në shtëpi. Çekun për mbijetesë, jo për fitimet e kompanive. Sepse po u ngjall sipërmarrja, më shumë do të kontribuojë nesër në arkën e përbashkët. Lëre fshatin të punojë e të prodhojë, se nga prodhimet e tyre do të ushqehet populli nesër. Edhe fermerëve jepu një çek në dorë që të përballojnë pandeminë si pjesëtarë dinjitozë të një familje të madhe”, tha ai.