Editorial
Lulzim Basha, tani në cilësinë e kreut të partisë së tij të re “Demokratët Euroatlantikë”, po zhvillon një “betejë” të ashpër me kryeministrin aktual dhe kreun e Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Edi Rama. Një lojë fjalësh “qesh e ngjesh”, siç thonë shqiptarët, që duket të jetë aq e koordinuar sa të krijon përshtypjen se ata mund të kenë rënë dakord për këtë komunikim online. Sigurisht kjo dakordësi nuk është e re për dy liderët, pasi marrëveshja e 17 majit 2017 është ende e freskët për politikën shqiptare dhe për popullin shqiptar.
Gjithsesi, duhet theksuar se ky lloj komunikimi është atipik për Lulzim Bashën, por jo aq për Edi Ramën, i cili ka arritur të bëhet një ekspert i komunikimit digjital. Rama jo vetëm që ka krijuar një podcast të tij, ku zhvillon propagandën e tij me individë të suksesshëm që i seleksionon dhe i përdor për t’i promovuar në arenën politike, por gjithashtu, përpara zgjedhjeve parlamentare, ai ka zgjedhur sërish të përdorë kanalet e komunikimit online, duke ndërvepruar drejtpërdrejt me qytetarët përmes komenteve në rrjetet sociale, gjithmonë nën sloganin “Sy me sy”. Nga ana tjetër, Basha është më i tërhequr ndaj kësaj forme komunikimi dhe preferon të flasë në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa përdorur ironi apo batuta ndaj elektoratit ose qytetarëve.
Mënyra si papritur Lulzim Basha i dërgoi një video-mesazh kryeministrit Rama në dialekt, duke e thirrur “O Rame”, u pa me habi. Në fakt, kjo gjuhë nuk i shkon aspak Lulzim Bashës, i cili, edhe pse më i ri në moshë se z. Rama, ka karakterin e tij politik dhe personal serioz. Por gjithsesi kjo nuk përbën problem, ajo që ngre pikëpyetje në këtë formë të re komunikimi nga Basha është se çfarë e shtyu ta përdorë këtë gjuhë dhe këtë format në platformat online, kryetarin e partisë “Demokratët Euroatlantikë”, ku për herë të parë do e provoje veten para zgjedhësve, më 11 maj 2025.
Në fakt, pas rikthimit të Sali Berishës dhe Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka qenë gati i padukshëm në diskursin e tij politik. Edhe themelimi i partisë së tij të re nuk pati ndonjë impakt të dukshëm; ai ende shihet me skepticizëm, pasi nuk ka arritur të krijojë një elektorat të tij. Deri tani, Basha ka qëndruar në hijen e Partisë Demokratike, partisë më të madhe opozitare, që sot është ende nën drejtimin z. Sali Berisha. Kështu e ka pohuar edhe vetë Basha, duke justifikuar disa herë veprimet apo mosveprimet e tij gjatë periudhës kur ishte pjesë e asaj partie. Sigurisht, vendimi i tij për ta përjashtuar Berishën nga Partia Demokratike iu kthye si një bumerang politik, pasi, ndërkohë që mori kredibilitet përballë faktorit ndërkombëtar, ai u izolua plotësisht nga vete demokratët.
Në këtë situatë, ku ndodhemi më pak se dy muaj para zgjedhjeve parlamentare, ku partia e Lulzim Bashës dhe ai vetë si kreu i saj do të testohen përballë qytetarëve shqiptarë, kjo formë komunikimi që ai përdori ndaj kryeministrit Rama duket thjesht një demagogji marketingu politik. Duke ditur se Basha dhe partia e tij janë ende në fazën e konsolidimit dhe duke pasur parasysh skepticizmin e vazhdueshëm ndaj tij, kjo lëvizje nuk paraqet një ndryshim të vërtetë, por më shumë një përpjekje për të krijuar një imazh në media dhe për të tërhequr vëmendjen e elektoratit. Pra më shumë një manovër taktike për të fituar pikë, se sa një hap autentik në komunikimin politik qe i sherben realisht shqiptarëve.
Nga ana tjetër, kjo situatë i shërben plotësisht strategut të piarit, Kryeministrit Rama. Duket se ai ka zgjedhur me kujdes kundërshtarin politik, pra partinë opozitare që do të ketë përballë në këto zgjedhje, por edhe në Parlamentin e Shqipërisë. Madje Rama po ndërton vetë një opozitë të re, pra në këtë rast partinë e Bashës, e cila është e dobët dhe pa një bazë solide mbështetjeje, duke forcuar kështu pozitat e tij në skenën politike.
Kjo duket të jetë marrëveshja e dytë mes Kryeministrit Rama dhe Bashës, pas marrëveshjes së 17 majit, që riktheu Partinë Demokratike në Parlament, pas një periudhe bllokimi, ku Basha dhe opozita ishin ngujuar në çadrën përpara Kryeministrisë për tre muaj. “Çadra e Lirisë” u shpërbë pas marrëveshjes së orëve të vona, e cila padiskutim ndihmoi Kryeministrin Rama të fitonte mandatin e dytë si Kryeministër në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017. Më vonë, pati akuza të shumta, duke aluduar se ekzistonte një marrëveshje tjetër përveç asaj që u paraqit në publik mes Bashës dhe Ramës në Kuvendin e Shqipërisë, e cila kishte si synim përçarjen e plotë të Partisë Demokratike.
Në këte rast, nëse nuk është një marrëveshje e drejtpërdrejtë, ky komunikim virtual është padyshim një dakordësi mes Ramës dhe Bashës, ku të dy përfitojnë. Nëse Lulzim Basha ka qëllim të tërheqë vëmendjen dhe të dërgojë mesazhe elektoratit, duke treguar se po përdor të njëjtën gjuhë dhe stil komunikimi që përdor Kryeministri Rama. Nga ana tjetër, Kryeministri Rama po tenton të rikthje sërish Bashën si lider opozitar, duke shmangur përballjen e drejtpërdrejtë me partitë e tjera opozitare, qoftë ato të vjetra, apo ato të reja. Në veçanti Partinë Demokratike, e cila së bashku me partitë e tjera të koalicionit “Shqipëria Madhështore”, tani nën drejtimin e z. Berisha, është në objektivin e Ramës për ta minimizuar, ndërsa për partitë e reja, Rama synon t’i mbajë ato nën kontroll pas zgjedhjeve të 11 majit, veçanërisht nëse do të ketë nevojë për një koalicion qeveritar.
Pra, z. Basha vazhdon të përdoret për të tërhequr vëmendjen dhe për të larguar fokusin nga Berisha, duke treguar se kjo “lojë” virtuale mes Ramës dhe Bashës është thjesht një manovër politike, e cila zhvillohet në kurriz të qytetarëve.
Asgjë e re për qytetarin shqiptar që pret më shumë zgjidhje për një jetë më të mirë, për siguri, drejtësi, për nivel më të lartë arsimor dhe shëndetësor, si dhe për mirëqenie. Asnjë nga këto nuk iu ofrohet qytetarëve, të cilëve iu kërkohet të votojnë. Për momentin, Rama dhe Basha kanë në agjendë këtë maskaradë virtuale për të krijuar një shfaqje politike, e cila ka marrë formën e një telenovele turke.
Një cirk mediatik që ia hedhin turmës, me shkelje syri, qeshje e nënqeshje, me hip-hop, timon e tigan, të gjitha të sintonizuara me njëra-tjetrën.
Kjo na kujton një thënie të vjetër, por që sot merr kuptim më shumë se kurrë;”Panem et circenses” – “Bukë dhe cirk”.
Një shprehje që simbolizon praktikën e perandorëve romakë, të cilët e përdornin si një strategji për të mbajtur popullin nën kontroll dhe të kënaqur. Një mjet për të shmangur pakënaqësinë dhe revoltat, duke i larguar qytetarët nga realiteti i vështirë dhe padrejtësitë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Shqipërinë e sotme, ku, prej ditësh, cirku politik i dy palëve, Rama dhe Basha, është i pranishëm në çdo rrjet social, media online dhe media vizive. Të dy palët ofrojnë një shfaqje spektakolare për popullin, duke e mbajtur atë të angazhuar në një lojë politike që i largon nga realiteti i vërtetë dhe kërkesat për një jetë më të mirë.
Kjo demagogji e vjetër që vazhdon të dominojë skenën politike, është një shenjë e dëshpërimit për shoqërinë shqiptare. Populli, i lodhur dhe i zhgënjyer, nuk po kërkon më ndryshim të vërtetë. Nuk po proteston, nuk po kërkon llogari, por ka rënë në një gjendje pasiviteti, duke u argëtuar dhe komentuar në rrjetet sociale, duke u bërë kështu pjesë e një cirku mediatiko-politik që i shërben vetëm interesave të ngushta të pushtetit.
E megjithatë, nëse perandorët romakë, të paktën, ofronin “bukë dhe cirk”, kjo klasë politike ofron vetëm cirk…
M.Doda
© 2025 Argumentum