Kreu i Kishës Katolike Papa Françesku, pasi ka zbritur në aeroportin e Shkupi ka realizuar takim me presidentin e vendit Gjorge Ivanov.
Pas takimit ai ka mbajtur fjalim para korit diplomatik në vend dhe përfaqësuesve të ndryshëm politik. Papa tha se ndjehet i lumtur që ndodhet në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se është vend urë në mes Lindjes dhe Perëndimit.
Papa përmendi rolin që Maqedonia e ka luajtur në krizën e emigrantëve, duke thënë se ka qenë shtet që ka mirëpritur emigrantët nga Lindja e Afërt.
“Për herë të parë që pasardhësi i Shën Pjetërit ndodhet në Maqedoni. Toka juaj është një urë mes lindjes dhe perëndimit. Më lejoni të them se kjo pasuri kulturore është pasqyrë e përbërjes multietnike dhe multifetare e popullit tuaj. Kjo përzierje e kulturave, etnive dhe religjioneve, ndihmon në zhvillimin e shoqërisë. Këto karakteristika janë të rëndësishme për integrimin euroatlantik. Dëshiroj që integrimi të jetë i suksesshëm për gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.