REALPOLITIK FLASH NR. 64
17 – 28 SHKURT 2023
Shkurt dhe shqip mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik
Dr. JORGJI KOTE
1.Paqe dhe siguri pa Rusinë! Ky ishte mesazhi kryesor i Konferencës së 59 Ndërkombëtare të Sigurisë ( Mynih, 17 – 19 Shkurt 2023). Me praninë e 40 Kryetarëve të Shtetit/Qeverive, 100 ministrave, qindra politologëve, ekspertëve të sigurisë, 1000 gazetarëve, të gjithë nën mbikqyrjen e 5000 forcave policore!
E para Konferencë pa praninë e Rusisë në prag të përvjetorit të parë të agresionit të saj ndaj Ukrainës.
Natyrisht që lufta në Ukrainë, perspektivat e saj, mundësitë për ndonjë armëpushim dhe demarshet diplomatike ishin kryetema e Konferencës dhe takimeve në kuadrin e saj. Nëse deri vjet, zotëronte ideja se « nuk mund të ketë siguri pa Rusinë” tani ndodhi e kundërta. Komuniteti ndërkombëtar dhe Perëndimi në veçanti po mendon dhe vepron për të garantuar sigurinë, paqen dhe stabilitetin, tashmë jo vetëm PA Rusinë, por dhe nën kërcënimet e saj të vazhdueshme, përfshi ato bërthamore. Sa për ndërmjetësim, armëpushim dhe plane paqeje, përfshirë dhe atë kinez me 12 pika, atje u tha qartë se këtë e ka në dorë Putini dhe askush tjetër. Nëse ai tërhiqet duke pranuar kushtet e Ukrainës dhe të Perëndimit me garancitë përkatëse deri në deputinizimin e rregjimit, ok, ndryshe, alternativa e vetme mbetet lufta pa kompromis deri në fund dhe fitorja në fushën e betejës. Vetëm atëhere palët mund të ulen në tryezën e bisedimeve për të vendosur termat e paqes.
Ndaj dhe Perëndimi ka forcuar unitetin dhe kohezionin politik, diplomatik dhe ushtarak, duke përshkallëzuar mbështetjen e gjithanshme e sidomos atë ushtarake ndaj Ukrainës me faktet tashmë të njohura për publikun, deri te Paketa e 10-të e BE-së me sanksione të ashpra ndaj Rusisë dhe ndihma të tjera të shumta të shpallura në 1 Vjetorin e agresionit rus. Falë ndihmave financiare nga SHBA-të, BE-ja dhe fuqi të tjera të mëdha perendimore, Ukraina faktikisht e tejkalon dhe buxhetin rus të luftës prej 90 Miliard Dollarë në vit. Kjo është normale, përderisa tashmë nuk bëhet më fjalë për një luftë ndërmjet dy vendeve fqinje, por midis të keqes dhe të mirës, demokracisë dhe autoritaruizmit, agresorit dhe të sulmuarit.
2. Biden në Ukrainë si Kenedi në Berlin! Më 20 Shkurt, Presidenti amerikan Joe Biden bëri vizitën e papritur historike në Kiev. Siç pohuan mediat, ajo ngjasonte me vizitën emblematike të Kenedit 60 vjet më parë në Berlin, si vija më e madhe e ballafaqimit Perëndim – Lindje që tani është spostuar në Kiev. Me mesazhet domethënëse dhe kumbuese të ndihmës, mbështetjes dhe solidaritetit amerikan dhe Aleancës Perendimore në përgjithësi. Kjo ndodhi vetëm 4 ditë përpara Përvjetorit të parë të agresionit dhe fjalimit të Putinit. Shihni dallimin e madh – Biden, SHBA dhe Perëndimi ”mysafirë” në Kiev dhe në Varshavë, si mishërimi i vlerave më të mira perendimore, lajmëtarë të të ardhmes në paqe, siguri dhe demokraci; ndërsa Putini i vetëm atje në Moskë, agresor dhe pushtues mizor, mishërimi i mentaliteteve imperialiste dhe autokracisë.
Presidenti Biden dha të njëjtat mesazhe dhe gjatë vizitës në Varshavë. Kjo e fundit me qëndrimet e saj ka rritur ndjeshëm profilin e saj në koalicionin e madh. Mjaft të përmendet se jep 5 për qind të GDP-së për NATO-n, shidfra më e lartë në Aleancë!! Duke lënë pse jo disi në hije Francën dhe Gjermaninë, pas disa qëndrimeve dhe vonesave të tyre gjeopolitike. Vetëm se tani e tutje, këto qëndrime patriotike polake duhen shoqëruar me forcimin e vlerave Euro – Atlantike brenda vendit lidhur me demokracinë dhe shtetin e të drejtës.
3. Edhe Tokio nën hijen e McGonigal! Më 20 – 24 Shkurt, Kryeministri Rama ishte në Tokio për vizitë zyrtare që tani nuk sjell më ndonjë çudi me një vend miqësor si Japonia me të cilin nuk kemi asnjë problem. Kjo u pa dhe në faktin se si gjithmonë, Kryeministri tërhoqi vëmëndjen publike kryesisht me batuta dhe foto, të cilat gjithsesi e kanë humbur fuqinë e tyre të mëparshme joshëse. Qoftë dhe me dollinë me raki, foton me pandën apo dhe me bashkëatdhetarin me qëndrim në Japoni, i cili, i pakënaqur me jetën atje, kishte vendosur të kthehej në Nivicën e tij. Dukej sikur dhe kjo vizitë shërbeu më tepër për të qëndruar larg zhurmës dhe rrëmujës mediatike dhe politike që shkaktoi skandali me Mc Gonigal.
Ja pse këtë radhë edhe Tokio gjigande diplomatike u duk e vogël në të gjitha aspektet, sepse e la në hije skandali i mësipërm i njohur dhe te mikpritësit e lartë japonezë. Për fat të keq, kudo ku do të shkojë Rama, ky skandal i paprecedentë do ta ndjekë nga pas kudo deri në sqarimin e plotë të situatës në përshkallëzim e sipër që do të dojë kohë të rivendoset.
4. Asgjë e re nga Brukseli për Takimin e shumëpritur Vuçic – Kurti më 27 Shkurt. Me zhurmë, shpresa dhe pritshmëri të larta për gjetjen e gjuhës së përbashkët dhe miratimin e Marrëveshjes së ndërmjetme sipas modelit të dy Gjermanive. Ndonëse gjasat janë që të krijohen më shumë probleme se të zgjidhen, ose siç thuhet rëndom « sa për të hedhur lumin »
As nënshkrim, vetëm një « Po » me gjysëm zëri dhe pastaj « shtyje ta shtyjmë ». Do t’i kthehen sërish « diplomacisë së ec e jakeve » në Prishtinë, Beograd, Shkup, Bruksel dhe gjetkë, në përpjekje për nënshkrimin e Marrëveshjes. Pastaj vijnë anekset e zbatimit të saj me shumë detaje delikate. Çka na kujton thënien e njohur se« djalli fshihet te detajet »
Vuçiç dhe Kurti shkuan në Bruksel në pozita delikate, e sidomos Kurti, ndaj të cilit presioni ndërkombëtar ka qenë shumë më i madh. Sepse BE dhe SHBA vazhdojnë ta trajtojnë Beogradin « si të nënës » dhe Prishtinën »si të njerkës » Fatkeqësisht ky është realiteti përtej fjalëve të bukura dhe eufemizmave diplomatikë. Ndryshe nuk shpjegohet dot si mund të krijohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe përpara njohjes, qoftë dhe faktike të Kosovës nga Serbia dhe antarësimit të saj në OKB, siç ndodhi me të dy Gjermanitë, vetëm disa muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes mbi normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Në këto dy drejtime, siç e kemi nënvizuar më parë, Serbia ka vetëm « çelësat e kashtës » në dorë; sepse është KS i OKB-së që vendos, ku janë Rusia me Kinën, me qëndrime dhe interesa krejt të kundërta me ato të Perëndimit lidhur me Kosovën. Për të mos përmendur 5 shtetet antare të BE-së që nuk po japin asnjë shenjë në këtë fushë.
© 2023 Argumentum