Në Tiranë është mbajtur paneli me temë “Paqja, Stabiliteti dhe Zhvillimi në Ballkan – Marrëdhëniet Turqi-Shqipëri”, i organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri dhe studiuesve, raporton Anadolu Agency (AA).
Pjesë e aktivitetit të organizuar në ambientet e universitetit të Fondacionit Turk Maarif, Universitetin New York në Tiranë, nën moderimin e gazetares dhe anëtares së bordit drejtues të TRT-së, Meryem Ilayda Atlas Çetin, ishin ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, kryetari i Departamentit të Diplomacisë Publike të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, Oğuz Güner, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, studiues dhe gazetarë nga Shqipëria dhe Turqia, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Ambasadori Yörük tha se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë hapur një mundësi të madhe bashkëpunimi dhe partneriteti.
“Turqia dhe Shqipëria janë aleatë të natyrshëm. Kjo është provuar përgjatë shekujve mes shumë ngjarjeve dhe zhvillimeve të ndryshme. Mendoj që nga aspekti politik, por gjithashtu edhe nga aspekti human, turqit dhe shqiptarët nuk janë vetëm motra dhe vëllezër, por mund të them që janë mish e thua, pra si inde të pandashme të organeve trupore”, tha ai.
Ambasadori turk theksoi se përgjatë shekujve janë krijuar këto marrëdhënie dhe shtoi se “i kemi zhvilluar këto marrëdhënie në mënyrë kaq të natyrshme”.
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Genti Gazheli, i cili aktualisht është drejtor i Përgjithshëm i Doganave të Shqipërisë, duke folur edhe për kompanitë turke në Shqipëri tha se bashkëpunimi mes dy vendeve bazohet në një kuadër të pasur ligjor.
“Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë dhe ka një vullnet të fortë politik për të forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe në shumë fusha të bashkëpunimit dhe veçanërisht marrëdhëniet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare”, tha ai.
Gazheli theksoi se në deklaratën e partneritetit strategjik të nënshkruar një vit më parë mes presidentit Erdoğan dhe kryeministrit Rama, një nga pikat e dakorduara është intensifikimi i bashkëpunimit mes administratave tona doganore përkatëse.
Prof. Asoc. Dr Lindita Xhanari Latifi, drejtoreshë e Institutit të Studimeve Ballkanike në Universitetin New York në Tiranë, tha se marrëdhëniet e sotme sigurisht që kushtëzohen edhe nga marrëdhëniet e mëparshme dhe një pjesë e tyre rrjedhin prej tyre.
“Rezultati natyral i kontaktit mes kombeve të ndryshme gjatë historisë është bashkëveprimi mes kulturave dhe gjuhëve të tyre. Kështu marrëdhëniet historike, gjuhësore, letrare, kulturore, etnografike, fetare etj., që kanë ekzistuar e vazhdojnë të ekzistojnë mes Shqipërisë e Turqisë ndër shekuj, tashmë janë fakte të pamohueshme”, u shpreh ajo, duke shtuar se vitet e fundit vihet re një intensifikim i marrëdhënieve dypalëshe në fushën e arsimit dhe të kulturës.
Latifi tha se instituti që ajo drejton ka objektiva të qarta për realizimin e studimeve, për realizimin e bashkëpunimeve të ngushta shkencore me arkivat e të dyja vendeve, me institucionet shkencore dhe universitetet turke.
Prof. Dr. Hasan Basri Yalçın, akademik në Universitetin Istanbul Ticaret, theksoi se i konsideron të veçanta marrëdhëniet Turqi-Shqipëri dhe sipas tij Turqia është një mik shumë i mirë për Shqipërinë.
“Kemi vërejtur në të shkuarën shumë bashkëpunime strategjike dhe janë nënshkruar mjaft marrëveshje mes vendete tona. Ndoshta vizita e presidentit tonë të hënën, do të sjellë edhe mundësi të tjera për marrëdhëniet miqësore. Është e mirë që çdo vend të ketë më shumë miq”, tha ai.
Doç. Dr. Aylin Ünver Noi, akademikja në Universitetin Haliç, në fjalën e saj tha se Shqipëria dhe Turqia kanë tradicionalisht marrëdhënie miqësore dhe faktorët historikë fetarë kontribuojnë në këtë marrëdhënie afatgjatë.
“Turqia mbështet Shqipërinë për anëtarësimin në BE dhe gjithashtu mbështeti fuqishëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë ndërtohet nga NATO si një faktor stabilizues në rajonin e Ballkanit. Turqia vazhdimisht në fusha të ndryshme që lidhen me sigurinë, duke përfshirë logjistikën, modernizimin e forcave të armatosura, infrastrukturën e ushtrisë shqiptare, ka ofruar arsim ushtarak për personelin ushtarak shqiptar. Shqipëria dhe Turqia zhvilluan gjithashtu stërvitje të përbashkëta ushtarake”, tha Noi.
Moderatorja Çetin tha se ky aktivitet organizohet në prag të para vizitës së presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Shqipëri.
“Presidenti do të inaugurojë banesat e tërmetit dhe kjo hapje tregon sinqeritetin dhe nivelin e marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve. Ndaj edhe sot po flasim për çështje të ndryshme dhe për rëndësinë dhe potencialin e thellimit të kësaj marrëdhënieje”, tha ajo.
Në kuadër të panelit u trajtuan çështjet si fushat potenciale të bashkëpunimit mes dy vendeve, zhvillimet në Ballkan, politika e Turqisë për Ballkanin, bashkëpunimi ekonomik, si dhe kontributi i të dyja vendeve për stabilitetin në Ballkan dhe me anë të panelit synohet ngritja e marrëdhënieve Turqi-Shqipëri në një nivel më të lartë.