Zgjedhja e Ebrahim Raisi si president i Iranit nuk është mirëpritur nga Izraeli, autoritetet e të cilit shprehen se ai do të ishte një “regjim i xhelatëve brutalë” me të cilin fuqitë botërore nuk duhet të negociojnë një marrëveshje të re bërthamore.
Raisi, i cili është në listën e sanksioneve të SHBA për abuzimet e të drejtave të njeriut, siguroi fitoren në zgjedhjet presidenciale të Iranit pas një gare të shënuar nga apatia e votuesve mbi vështirësitë ekonomike dhe kufizimet politike.
Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, duke thirrur sesionin e tij të parë televiziv të kabinetit që nga marrja e detyrës, përshkroi nisjen e pushtetit të Raisit si të mundësuar nga udhëheqësi suprem iranian, Khamenei sesa nga një votë e lirë.
“Irani zgjodhi një president të ri, Ebrahim Raisi. Nga të gjithë njerëzit që Khamenei mund të kishte zgjedhur, zgjodhi xhelatin e Teheranit, njeriun famëkeq midis iranianëve dhe në të gjithë botën për udhëheqjen e komiteteve të vdekjes që ekzekutuan mijëra qytetarë të pafajshëm iranianë përgjatë viteve. Zgjedhja e Raisi është shansi i fundit për fuqitë botërore që të zgjohen para se të kthehen në marrëveshjen bërthamore dhe të kuptojnë me kë po bëjnë biznes. Këta njerëz janë vrasës. Pozicioni i Izraelit nuk do të ndryshojë për këtë”, tha Bennett në një deklaratë, që e lexoi fillimisht në hebraisht dhe pastaj në anglisht.
Raisi nuk ka reaguar kurrë për akuzat rreth rolit të tij në atë që Uashingtoni dhe grupet e të drejtave i kanë quajtur ekzekutimet jashtëgjyqësore të mijëra të burgosurve politikë në 1988.
Bennett ka kërkuar kundërshtimin e paraardhësit të tij konservator, Benjamin Netanyahu ndaj marrëveshjes bërthamore iraniane të 2015. Ish-administrata amerikane e Donald Trump ra dakord me Izraelin dhe u largua nga marrëveshja. Presidenti aktual, Joe Biden dëshiron një rikthim të Uashingtonit në marrëveshje, ndërsa Irani mohon të ketë kërkuar armë bërthamore.