Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor njoftoi të mërkurën mediat se do të organizojë protestë për ndërgjegjësimin e institucioneve që të garantojnë siguri, paga dhe kushte dinjitoze në luftën përballë COVID-19.
SPSHSH tha se në orën 10:00 të së enjtes, datë 24 shtator, do të organizojë protestë në sheshin përpara spitalit Nr.1 në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të Tiranës. Ata shprehen se kanë njoftuar policinë në lidhje me tubimin dhe kanë marrë si përgjigje refuzimin e autoriteteve për të garantuar mbajtjen e tij.
Në një dokument shpërndarë mediave, kryetari i SPSHSH, Gentian Stroni, shprehu shqetësim për rastet e prekjeve dhe vdekjeve nga COVID-19 të personelit.
Për këtë ata kanë parashtruar katër kërkesa:
- Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelti shëndetësor të cilët humbasin jetën në këtë luftë.
- Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme
- Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit
- Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit
Pas raportimit për vendimin e sindikatës, zyra e Kryeministrisë njoftoi mediat se kishte ftuar mjekët për një takim në orën 9:00.
Kryeministri Rama, ka kërkuar takim nesër në kryeministri me mjekët të cilët njoftuan se do të protestojnë në oborrin e QSUT-së.