Delegacioni olimpik shqiptar që mori pjesë në Lojërat Olimpike, “Paris 2024” ka mbërritur sot në Rinas.
Bashkia e Tiranës organizoi një ceremoni mirëseardhjeje për ekipin olimpik të Shqipërisë, i cili u kthye në kryeqytet, me dy medalje olimpike, pas mbylljes së kompeticionit të Lojërave Olimpike Paris, ditën e djeshme.
Delegacioni olimpik është pritur nga qytetarë të shumtë që brohoritën sportistët.
Delegacioni shoqërohej nga Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, Drejtori i Klubit Shumësportësh në bashkinë e Tiranës, Gjergji Muzaka, Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, si dhe Presidenti i Federatës së Atletikës Shqiptare Taulant Stërmasi.
Pas fitores historike në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, mundësit shqiptar Islam Dudaev dhe Chermen Valiev mbërritën në Rinas së bashku me dy medaljet e bronzta në kategorinë 65 dhe 74 kg.
Më 10 gusht, Chermen Valiev shkroi historinë në Paris 2024, duke fituar medaljen e parë për Shqipërinë në historinë e Lojërave Olimpike, duke mposhtur me rezultatin 6-2 në finalen për medaljen e bronztë Viktor Rassadin nga Taxhikistani në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg.
Medalja e dytë për Shqipërinë u fitua nga mundësi Islam Dudaev i cili mundi numrin një të botës në peshën 65 kg, Iszmail Muszukajev.