Parlamenti Evropian (PE) miratoi projekt-rezolutën që e cilëson Rusinë si “vend mbështetës të terrorizmit” me akuzën se ka kryer “veprime çnjerëzore dhe mizore”,
Në një votim në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian që u mbajt në Strasburg të Francës, projekt-rezoluta u miratua me 494 vota pro dhe 58 kundër.
Në projekt-rezolutën simbolike që nuk është detyruese, thuhet se Rusia ka kryer sulme të qëllimshme ndaj popullatës civile në Ukrainë, ka shkatërruar infrastrukturën civile, nuk ka njohur ligjin ndërkombëtar humanitar dhe ka përdorur ushqimin si armë.
“Rusia ka kryer ‘krim lufte’ dhe veprimet e saj ‘mbartin cilësinë e terrorizmit’ kundër popullit të Ukrainës”, theksohet në projekt-rezolutën ku vihet në dukje se për këtë arsye PE-ja e cilëson Rusinë si “vend që mbështet terrorizmin”.
Më tej kërkohet përditësimi i kuadrit ligjor për listën kundër terrorizmit të BE-së dhe në këtë mënyrë të sigurohet që Rusia të përfshihet në këtë listë. Gjatë kësaj është kërkuar që Grupi Wagner dhe grupet e armatosura të financuara nga Rusia të përfshihen në listën e terrorizmit.
Deputetët e PE-së në projekt-rezolutë kanë bërë përgjegjëse Rusinë për vdekjen e mijëra civilëve dhe qindra fëmijëve në Ukrainë dhe theksuan se deri më tani janë dokumentuar mbi 40 mijë “krime lufte”.
Në projekt-rezolutë bëhet thirrje që të intensifikohet izolimi ndërkombëtar i Rusisë si dhe të mbyllen ose ndalohen organizatat e lidhura me Rusinë që zhvillojnë propagandë në BE.
Deputetët gjithashtu kërkuan që BE-ja të plotësojë edhe paketën e 9-të të sanksioneve kundër Rusisë.
/Argumentum.al