Mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe e Komisionit të Ligjeve miratoi në unanimitet me pak ndryshime, por pa cekur në thelb tre propozimet e opozitës parlamentare për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë, parashikimi për koalicionet zgjedhore dhe pragu elektoral.
Ndryshimi i parë lidhej me propozimin e opozitës parlamentare që të përcaktohej që në nenin 68-të të Kushtetutës ndalimi i koalicioneve parazgjedhore. Relatorja socialiste, Klotilda Bushka tha se ky përcaktim kishte marrë një kuptim pezhorativ dhe se vetë hapja e listave nënkuptonte automatikisht ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
“Fjalia që ishte në nenin e mëparshëm që ndalohen koalicionet zgjedhore ka një konotacion shumë negativ. Kështu që vetëm fjalia “se kush e ka të drejtën që të paraqesë një kandidat” është e mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për dublim. Listat e hapura me koalicionet parazgjedhore siç jemi mësuar t’i kemi deri më sot nuk shkojnë dot bashkë”, deklaroi Bushka.
Me këtë formulim koalicionet parazgjedhore nuk ndalohen me parashikim në Kushtetutë, por u lihet dera e hapur që të vendosen në Kodin Zgjedhor.
“Lista do të ishte pambarim e pamundur për organet e menaxhimit zgjedhor, që të menaxhonin një sistem të tillë”, tha Bushka.
Megjithatë, socialisti tjetër, Alket Hyseni thotë se teorikisht koalicionet nuk ndalohen. Ai si zgjidhje propozon mundësinë që partitë të dalin me një listë kandidatësh të përbashkët nën një logo.
“Partitë mund të organizohen brenda një liste të vetme, nën një logo të re apo ekzistuese. Të gjitha shqetësimet janë adresuar në këtë draft. Ta mbështesim dhe ta votojmë pro në të gjitha nenet”, deklaroi ai.
Kur dolën në mbështetje të hapjes së listave, socialistët propozuan hapje të pjesshme të tyre, jo në të gjitha qarqet e vendit. Megjithatë, në variantin përfundimtar të propozuar për ndryshimet kushtetuese hapja e tyre do të ndodhë në minimumin e përcaktuar në dy të tretat e listave.
Ndryshimi tjetër lidhet me uljen e pragut më poshtë shifrës 5 për qind të propozuar fillimisht nga opozita parlamentare. Ndryshimet u mirëpritën nga deputetët e opozitës parlamentare, që thanë se thelbi i propozimeve të tyre, që është hapja e listave me sistem proporcional rajonal nuk është prekur.
Megjithatë, si për sasinë e shtrirjes së listave të hapura, ashtu edhe për pragun zgjedhor parashikimet nuk do të vendosen në Kushtetutë, por tek ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku sipas propozimit do të reflektohen edhe ndryshimet kushtetuese për koalicionet. Opozita parlamentare kërkoi nga mazhoranca që të mbajë fjalën në këtë drejtim.
Meta: Parlamenti ilegjitim! Rama: Mos u shqetësoni për koalicionet
Presidenti Ilir Meta thotë se Parlamentit aktual i mungon legjitimiteti për të votuar ndryshimet Kushtetuese, që u kaluan këtë të martë në Këshillin e Legjislacionit si propozim i opozitës parlamentare.
“Presidenti thekson se Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë, ku përfshihen edhe tre deputetët të cilët nuk pranuan të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar. 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të partive opozitare refuzuan të ishin pjesë e Kuvendit. Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare prej 18 muajsh, Kuvendi ka formalisht vetëm 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrimi kushtetues”, thotë kreu i shtetit.
Meta deklaron se edhe vetë procesi i zëvendësimit ishte antikushtetues dhe antiligjor. “Ndaj është koha t’i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë. E ardhmja europiane e Shqipërisë është alternativa e vetme e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Të gjithë të distancohen nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët!”, thotë Meta.
Më herët, opozita jashtëparlamentare akuzoi Kryeministrin Edi Rama se me këtë nismë po minonte marrëveshjen e 5 qershorit dhe se qëllimi i vërtetë i saj nuk është hapja e listave, siç deklaron Kryeministri, por ndalimi i koalicioneve opozitare.
Rama i është përgjigjur si Presidentit Meta, ashtu edhe opozitës jashtëparlamentare.
Shoh agjitim në radhët e opozitēs jashtëparlametare dhe asaj presidenciale për hapin e hedhur sot në Kuvend drejt hapjes së listave! Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë..
— Edi Rama (@ediramaal) July 14, 2020
“Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë. Presidenciales i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë dhe hapja e listave për t’i dhënë mundësi edhe qytetarëve e jo vetëm kryetarëve të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit”, shkruan ai.
Kryeministri thotë se sa u takon koalicioneve zgjedhore, askush nuk do t’i ndalojë ato.
“As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s’duhet tê merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin Parlamentin që e duan s’e duan, është vendimmarrësi!”, deklaron ai./h.e-Argumentum