Dhoma e sipërme e parlamentit rus ka dhënë leje që ushtria e vendit të vendoset jashtë vendit, pas një kërkese të martën nga presidenti Vladimir Putin.
Autorizimi i jep Putinit të drejtën për të përdorur forcat ruse jashtë vendit “në përputhje me parimet dhe normat e së drejtës ndërkombëtare”, tregon rezoluta e Senatit, e publikuar në media. Dokumenti nuk vendos ndonjë kufizim specifik për përdorimin e ushtrisë, me numrin e trupave, si dhe “fushat e veprimtarisë së tyre, qëllimet e tyre dhe kohëzgjatjen e qëndrimit jashtë Rusisë” që do të vendosen nga presidenti “në përputhje me Kushtetutë,” raporton Russia Today
Vendimi u mor pasi Rusia njohu Republikat Popullore separatiste Donetsk (DPR) dhe Lugansk (LPR) në Ukrainën lindore.
Më vonë të martën, Putin u tha gazetarëve se Moska ishte gati të ofronte mbështetje ushtarake për republikat e Donbasit, nëse kërkohet. Presidenti po fliste në Kremlin pas bisedimeve me homologun e tij nga Azerbajxhani, Ilham Aliyev.
“Dje kemi nënshkruar marrëveshje me DPR dhe LPR. Ato përmbajnë klauzola se ne do të ofrojmë, ndër të tjera, ndihmë ushtarake… Nëse është e nevojshme, ne do të përmbushim detyrimet tona”, tha ai.
Përpara votimit, përfaqësuesit e komiteteve të tij thanë se mbështesnin autorizimin, duke sugjeruar se trupat mund të dërgoheshin në Donbas si paqeruajtës. Valentina Matvienko, Kryetarja e Këshillit të Federatës Ruse, tha se ata do të “krijonin kushte normale për jetën e njerëzve dhe do të siguronin sigurinë” atje.
Menjëherë pas shpalljes së njohjes së DPR dhe LPR të hënën, Putin nënshkroi traktate dypalëshe miqësie dhe bashkëpunimi me secilën republikë.
Traktatet u ratifikuan të martën nga të dy dhomat e parlamentit rus, si dhe nga legjislaturat në DPR dhe LPR. Putin e shpjegoi vendimin e tij në një fjalim televiziv më vonë gjatë ditës, duke ia vënë fajin Kievit dhe duke pretenduar se autoritetet ukrainase po kërkonin t’i jepnin fund konfliktit shumëvjeçar me forcë dhe jo me negociata.
“Ata nuk janë të interesuar për zgjidhje paqësore – ata duan të fillojnë një Blitzkreig”, tha Putin. “Çdo ditë ata po grumbullojnë trupa në Donbass.”