Ndërtimi i parkut fotovoltaik të Spitallës, kompania fituese për të cilin u shpall sot, u cilësua nga drejtori i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Shqipërinë, Matteo Colangeli një hap tjetër i rëndësishëm që Shqipëria të bëhet eksportuese e madhe e energjisë së pastër në rajonin që dominohet nga karburantet fosile, linjiti apo qymyri.
Ashtu si ankandi për parkun e Karavastasë, edhe ankandi për Spitallën u mbështet nga BERZH.
Colangeli në fjalën e tij të mbajtur gjatë ceremonisë për shpalljen e kompanisë fituese tha se çmimi i ofruar prej 29.89 euro/MV nga kompania “Voltalia”, për atë sasi energjie që do të parablihet nga OSHEE është i favorshëm.
Po ashtu, përfaqësuesi i BERZH-t tha se investimi do të sjellë edhe më shumë investime të huaja të drejtpërdrejta.
“Më të rëndësishme janë njohuritë dhe aftësitë që nevojiten në këtë fazë të hershme të zhvillimit të sektorit të energjisë diellore në Shqipëri”, u shpreh ai.
Colangeli vuri në dukje se BERZH ka qenë mbështes duke patur parasysh potencialin e madh të energjisë diellore që ka Shqipëria, që është plotësues optimal i prodhimit të energjisë nga HEC-et.
“Themi se do të stabilizojë sektorin energjetik në Shqipëri duke zbutur rrezikshmërinë që lidhet me luhatshmërinë e reshjeve. Është një sistem shumë i mirë dhe për konkurrueshmërinë e Shqipërise”, tha ai.
Më tej, përfaqësuesi i BERZH-t foli edhe për mundësinë e Shqipërisë për t’u kthyer në një eksportuese të madhe.
“Në vitet që vijnë teksa kuadri ligjor që nxitet nga Brukseli do të penalizojë vendet me energji të paqendrueshme, vlera e Shqipërisë dhe enrgjisë së pastër të Shqipërisë d të bëhet gjithmonë e më e rëndësishme”, shtoi ai