Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka propozuar Komisionit të Përhershëm Statutor ndryshime në statutin e partisë.
Me një propozim drejtuar Komisionit më 10 korrik, Basha parashtron rreth 11 ndryshime në statut, mes të cilave bie në sy propozimi për të zgjedhur kandidatët për kryetarë bashkish përmes konsultimeve me anëtarësinë.
“Është zgjeruar koncepti i demokracisë së brendshme në parti, edhe për përzgjedhjen e kandidatëve të pushtetit lokal, duke ngushtuar kompetencën që kishte kryetari në këtë drejtim,” – thuhet në propozimin e Bashës.
“[…] detyrimi për konsultimin e anëtarësisë është përfshirë edhe për kandidatët për pushtetin vendor, të cilët pas konsultimit me anëtarësinë do të propozohen nga Kryetari i Partisë, caktohen nga Kryesia dhe lista e plotë do të miratohet nga Këshilli Kombëtar. Në këtë mënyrë është përfshirë në vendimmarrje, si organ ratifikues i listës edhe Këshilli Kombëtar,” – thuhet më tej në propozim.
Basha propozon gjithashtu edhe zgjerimin e Kryesisë së partisë dhe sekretarive. Kryetarët e Këshillit Kombëtar, bordit financiar, komisionit zgjedhor, apelimit të bëhen automatikisht anëtarë të Kryesisë.
Këshillit Kombëtar nga ana tjetër, propozohet t’i shtohen departamentet si “Këshilli koordinues i qarkut” si strukturë e re që do të kryesohet nga drejtuesi politik i qarkut.
Vlen të thuhet se më herët ndryshime në statutin e PD-së kanë bërë edhe Rudin Sata dhe Fatbradh Kadilli.
Propozimet pritet të diskutohen në Kryesi dhe më pas të miratohen në Kuvendin Kombëtar të partisë, kuvend që mblidhet më 17 korrik.
Në Kuvendin Kombëtar pritet të bëhet dhe analizë e zgjedhjeve të 25 prillit, të cilat Basha i ka konsideruar “masakër zgjedhore”, ndërsa gjithashtu në plan është dhe votimi i anëtarëve të rinj të Këshillit.