Partia Socialiste ka miratuar një rezolutë për dënimin e sulmit me armë në veri të Kosovës, Banjskë, ku një grup i armatosur hapi zjarr ndaj Policisë. Për pasojë nga sulmi mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Pr/rezoluta “Për dënimin e sulmit të armatosur terrorist në veri të Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e përpjekjeve për garantimin e sigurisë dhe paqes në vend e në rajon” mban datën 2 tetor 2023 dhe është firmosur nga kryetari igrupit parlamentar të PS-së, Bledar Çuçi.
Në pr/rezolutë PS kërkon që Serbia “të heq dorë nga qëndrimet armiqësore e luftënxitëse ndaj Kosovës dhe të dorëzojë kriminelët”
Gjithashtu kërkohet nga Serbia të hapë një hetim serioz dhe transparent për organizuesit e sulmit në Kosovë.
“Partnerët të ushtrojnë ndikim për të ballafaquar Serbinë me rolin që ka patur në sulm. SHBA dhe BE të ngrenë alarmin për të parandaluar rrezikun që i kanoset paqes dhe sigurisë së Kosovës” thuhet ndër të tjera në pr/rezolutë.
Gjithashtu ndër të tjera nënvizohet se prania e shtuar e trupave në KFOR në Veri të Kosovës është garanci për paqen në rajon.