Pas disa orë bisedimesh në Bruksel, të cilat rezultuan në mungesë të ndonjë marrëveshjeje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, konfirmoi se nuk ka marrëveshje për target.
Sipas tij, negociatorët evropianë kanë paraqitur një propozim për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm, të cilin presidenti i Serbisë e ka pranuar ndërsa kryeministri i Kosovës e ka refuzuar.
“Të dy mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë në terren. Ne paraqitëm një propozim që presidenti Aleksandar Vuçiç e pranoi, ndërsa kryeministri Albin Kurti jo”, tha Borrel.
Propozimi nënkupton që Kosova duhet të ndalojë menjëherë aktivitetet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin dhe se Beogradi duhet të ndalojë lëshimin e targave të reja me emërtimin e qyteteve të Kosovës, duke përfshirë targat KM.
Ai shprehu shqetësimin për “vakumin serioz të sigurisë” në veri të Kosovës për shkak se qindra policë serbë janë larguar nga policia e Kosovës, ndërsa në pjesën veriore kanë mbetur vetëm 50 policë të Kosovës.
Krahas vakuumit të sigurisë, Borrell tha se po ashtu krijoi një “situatë shumë të cenueshme” sepse as forcat ndërkombëtare që janë të pranishme në Kosovë, si EULEX-i, nuk mund të marrin rolin e policisë vendore.
“Detyrimet për ruajtjen e stabilitetit janë marrë shumë kohë më parë si pjesë e dialogut. Zyrtarët e BE përsëri kërkuan për de-përshkallëzimin. Takimi ishte një detyrim i liderëve për të shmangur përshkallëzimin dhe për të shmangur një krizë me pasoja të rënda”, kujtoi Borrell.
Borrell vlerësoi se diçka duhet të ndryshojë në dialog sepse negociatat zhvillohen “nga afati në afat, nga kriza në krizë”.
“Thelbi i krizës shkon shumë më larg se targat. Thashë se nuk mund të vazhdonim kështu”, përfundoi Borell.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuҫiq, nga ana e tij tha, se “Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur asnjë marrëveshje, por tha, se Serbia do t‘i dëgjojë këshillat e BE-së.
“Do t’i dëgjojmë këshillat dhe kërkesat e përfaqësuesit të Lartë evropian, Josep Borrell. Ai ka kërkuar që ata të mos shqiptojnë gjoba dhe që ne mos të lëshojmë targa të reja KM (targa të lëshuara nga Serbia). Ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër”, tha presidenti serb Vuҫiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm dhe se ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian “kanë hequr dorë” nga propozimi i tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave, dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”.
Ai ka thënë se palët kanë diskutuar “edhe për marrëveshjen finale edhe për çështjet aktuale”.
“Në propozimin që na e kanë sjellë [më herët] zotërinjtë [kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep] Borrell dhe [i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav] Lajçak për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023. Pra, që ne po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecjeje të re, për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023”.
Një takim urgjent i Presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës u zhvillua sot në Bruksel me ftesë të Bashkimit Evropian për shkak të krizës aktuale politike, e cila besohet të jetë më e rënda që nga viti 2013.
Siç njofton evropiani Shërbimi i Punëve të Jashtme (EEAS), fokusi i takimit të ndërmjetësuar nga BE është dalja nga kriza dhe shmangia e çdo përshkallëzimi të tensioneve.
Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se nga 21 nëntori do të fillojnë gjobat për të gjithë ata që nuk i kanë riregjistruar veturat e tyre me targa “RKS”.
Mirëpo, të dielën, policia e Kosovës njoftoi se nesër do të nisë mbledhjen e gjobave pas takimit në Bruksel.
/Argumentum.al