Serbia dy ditë pas sulmit në Banjskë ia ka dhënë disa tenderë me vlerë 8.5 milionë euro kompanisë nga Zveçani, “Rad 028”, e cila për shkak të dyshimeve se kontrollohej nga Milan Radoiçiçi është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, ka raportuar e përjavshmja serbe, ‘Radar’.
Sipas kësaj gazete, 8.5 milionë eurot, i janë dhënë kompanisë “Rad 028” për katër ditë. Tenderët janë dhënë për “programin e shpërndarjes dhe përdorimin e stimujve për zhvillim ekonomik për vitin 2023”.
Radoiçiqi e ka marrë përgjegjësinë kryesore për organizimin e sulmit paramilitar serb në Banjskë më 24 shtator, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Radoiçiqi është në kërkim nga INTERPOL-i me kërkesë të Kosovës, por vazhdon të endet i lirë në Beograd. Së fundmi, u publikua një fotografi ku ai shihet duke diskutuar me ambasadorin e Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq.
Gazetë serbe “Radar”shkruan se Qeveria e Serbisë ka qenë bujare me “sipërmarrësit” në veri të Kosovës. Kompania që dyshohej se ishte nën pronësinë e Radoiçiqit, “Rad 028”, në 10 vjetët e fundit ka fituar më shumë se 100 tenderë, të financuar nga buxheti i Serbisë.
Nga viti 2014 deri më 2018, kjo kompani ka fituar “vetëm” 7.1 milionë euro nga buxheti i Serbisë. Por kur Radoiçiqi u bë nënkryetar i Listës Serbe në vitin 2018, vlera e tenderëve të fituar nga kjo kompani është 14-fishuar në 102.6 milionë euro. Pra, deri në konfliktin në Banjskë, vlera e punëve të kontraktuara ka arritur në gati 120 milionë euro, ka shkruar “Radar”.
Që nga janari i këtij viti, nuk ka informacione se kompania nga Zveçani ka marrë ndonjë tender.
Për dallim nga “Rad 028”, kompanitë e themeluara në bashkëpunim mes Radoiçiqit dhe Zheljko Veselinoviqit po vazhdojnë punën pa probleme. E vetmja gjë që ka ndryshuar është struktura e pronësisë. 12 ditë pas konfliktit në Banjskë, Radoiçiqi u largua nga pronësia e kompanive, duke ia lënë vëllezërve Veselinoviq aksionet e plota.