Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike të vendit për vitin 2019, në raportin e fundit të “Pasqyrës Ekonomike Globale, tetor 2019”. Tashmë fondi pret që ekonomia të rritet me 3%, nga 3.7% që ishte pritshmëria në raportin e prillit.
Ky është institucioni i dytë, pas Bankës Botërore që ka rishikuar në rënie pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë. Pak ditë më parë Banka Botërore e çoi treguesin e saj në 2.9%, nga 3.6% që e kishte më parë.
Rishikimi në ulje nga të dy institucionet, u bë pasi të dhënat e INSTAT për 6 muajt e parë të vitit treguan se rritja reale u përgjysmua, nga mbi 4% në gjashtëmujorin e parë 2018, në 2.2-2.3% në janar-qershor 2019, si rrjedhojë e efektit të rënies së prodhimit të energjisë, tkurrjes së ndërtimit nga mbarimi i projektit TAP dhe mbylljes së aktivitetit të lojërave të fatit.
Megjithatë, në afat të mesëm FMN është më optimiste sesa Banka Botërore, duke parashikuar një rritje prej 4% në 2020 dhe 2024, nga 3.5% që është pritshmëria e Bankës Botërore.
Shqipëria pritet që këtë vit të ketë ndër ritmet më të ulëta të zgjerimit ekonomik në rajon, së bashku me Bosnjë Hercegovinën (2.8%) dhe në të njëjtin nivel me Malin e Zi. Rekordin e mban Kosova me 4.2%, e ndjekur nga Serbia me 3.5%, Maqedonia e Veriut, me 3.2%.
Lajme të këqija dhe nga fqinjët, Ekonomia botërore në ngadalësim
Ekonomia globale është në një ngadalësim të sinkronizuar, me rritjen për vitin 2019 që është rishikuar përsëri në ulje — në 3 për qind – ritmin më të ngadaltë që nga kriza globale financiare, thuhet në raportin e FMN. Kjo është një rënie serioze në krahasim me ritmet prej 3.8 për qind në 2017, kur bota ishte në një ngritje të sinkronizuar. Ky ngadalësim është pasojë e rritjes së barrierave tregtare; pasiguritë e shtuara për tregtinë dhe gjeopolitikën; Faktorët e pazakontë që shkaktojnë probleme makroekonomike në disa ekonomi të tregut në zhvillim; dhe faktorë strukturorë, siç janë rritja e ulët e produktivitetit dhe demografia e plakjes në ekonomitë e përparuara.
Rritja globale në vitin 2020 parashikohet të përmirësohet në mënyrë modeste në 3.4 për qind, një rishikim në rënie prej 0.2 për qind nga pritshmëritë e prillit të FMN-së. Sidoqoftë, ndryshe nga ngadalësimi i sinkronizuar, ky rikuperim nuk është i gjerë dhe për më tepër është i pasigurt. Rritja për ekonomitë e përparuara parashikohet të ngadalësohet në 1.7 për qind në vitin 2019 dhe 2020, ndërsa tregu në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim parashikohet të përjetojnë një përshpejtim të rritjes nga 3.9 për qind në 2019 në 4.6 për qind në vitin 2020.
Rritja në 2019 pritet të jetë shumë më e dobët se në 2017–18 në zonën e euros, ku rënia e prodhimit të automjeteve rrezikon të prekë sidomos Gjermaninë.
Lajme të këqija vijnë dhe nga fqinjët. Italia pritet të rritet me vetëm 0.2% në 2019-n, dhe performanca ekonomike pritet të jetë nën 1% dhe në periudhën afatmesme. Perspektivë më të mirë ka Greqia, me një zgjerim prej 3%.