Vetëm pak ditë pas vizitës zyrtare të presidentit shqiptar në Malin e Zi, nuk ka vonuar “kthimi” i saj nga autoritetet e larta malazeze.
Këtë herë ka qenë një delegacion, i kryesuar nga kryetari i komisionit parlamentar të Malit të Zi për Politikën e Jashtme, Andrija Nikolić, i cili ka vizituar Tiranën dhe ka zhvilluar takime me autoritetet e larta vendase, njëri prej tyre edhe Presidenti Meta. Ku ky i fundit e e vlerësoi vizitën e Nikolić si pjesë të azhendës së përbashkët dhe të intensifikimit të gjithanshëm të marrëdhënieve të ngushta, miqësore e të bashkëpunimit, midis dy vendeve.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta vlerësoi modelin e ndërtuar të bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë, që sipas tij, sot po jep rezultate konkrete, si në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar ashtu edhe në funksion të zhvillimit të ndërlidhjes më të mirë infrastrukturore dhe energjetike.
Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi gjithashtu rolin e rëndësishëm që ka parlamenti i Malit të Zi për të ndërmarrë iniciativa ligjore në drejtim të përmirësimit të përfaqësimit të shqiptarëve në Malin e Zi, si në nivel qendror ashtu edhe në atë vendor.
Më tej, të dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe në zhvillimet më të fundit në rajon dhe në mënyrë të veçantë vlerësuan si arritje historike zgjidhjen e emrit të Maqedonisë. Gjithashtu nënvizuan, se çelja e rrugës së anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO e në BE, i shërben dhe forcimit të sigurisë së rajonit dhe të hapësirës euro-atlantike.