I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanof, është duke qëndruar në Prishtinë të enjten, për takime me liderët e Kosovës.
Kasanof po e viziton Kosovën për herë të parë si i dërguar amerikan për Ballkanin Perëndimor – pasi e pasoi Pablo Escobarin – ku pritet të zhvillojë konsultime të rregullta me zyrtarë të Qeverisë, liderë të opozitës, shoqërinë civile dhe bizneset.
Ai u prit në një takim në kryeqytet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe më vonë pritet të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Kasanof erdhi në Prishtinë pas një vizite në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë gjatë kësaj jave.
Në Serbi, ai u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin bisedoi edhe për Kosovën, sipas liderit serb.
“Para së gjithash, kam theksuar situatën jashtëzakonisht të vështirë dhe të ndërlikuar në Kosovë dhe Metohi dhe kam treguar për kushtet pothuajse të pamundura në të cilat jeton populli serb”, ka shkruar Vuçiq më 9 tetor në Instagram.
Ai shtoi se për një dialog konstruktiv nevojiten dy palë dhe se Serbia mbetet e përkushtuar për zgjidhjen paqësore të problemeve, “pavarësisht përshkallëzimeve të panevojshme të tensioneve nga njëra anë”.
Kjo është vizita e parë e Kasanofit në rajon në cilësinë e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor.
Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.