PD dhe LSI kanë kërkuar sot që Këshilli Politik të mblidhet brenda kësaj jave, të diskutohen propozimet e paraqitura nga opozita dhe përfundimin e reformës deri më 31 maj.
Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili ia dërguan sot këto kërkesa, Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdarit, përmes një letre.
Në këtë letër, opozita propozon mbledhjen e këshillit politik, ditën e diel ose ditën e hënë, si dhe vendosjen e një kalendari të ri për përfundimin e reformës më 31 maj, përgjigjen e qeverisë për propozimet e opozitës dhe të anëtarëve të tjerë të Këshillit:
“Konfirmimin për të zhvilluar mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, ditën e diel, datë 10.05.2020, ora 11:00 ose ditën e hënë, datë 11.05.2020 ora 10:00, me këtë rend dite:
- Riskedulimin e kalendarit të punës së Këshillit Politik, duke synuar përmbylljen e punës brenda datës 31 Maj 2020.
- Vlerësimin e përfaqësuesve të maxhorancës mbi propozimet e deritanishme të opozitës të bëra në mbledhjet paraardhëse të Këshillit Politik.
- Çështje të tjera të propozuara nga anëtarët e tjerë të Këshillit Politik”, shkruhet në letër.
Në letër theksohet se deklaratat për miratim pa konsensus të reformës zgjedhore kkanë për qëllim krijimin e pengesave politike për miratimin e reformës.
Menjëherë ka ardhur dhe përgjigjja e bashkëkryetarit të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri.
“Pasi u njohëm përmes medias me letrën tuaj, shprehim vlerësimin tonë për gadishmërinë e shprehur prej jush për të rifilluar punën e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.
Ky qëndrim i ri i juaji, duhet përshëndetur si një reflektim serioz në raport me deklarimet tuaja publike të bëra ditët e fundit dhe ne e përshëndesim pa rezervë”, thuhet në letrën e Gjiknurit.
Burime nga Këshilli Politik bëjnë me dije për Argumentum.al se mbledhja do të mbahet ditën e hënë në orën 10:00.
Mbledhja do të zhvillohet online, si pasojë e masave ndaluese kundër koronavirusit. Reforma zgjedhore u ndërpre më 9 mars si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
h.e / Argumentum