Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka njoftuar djegien e mandateve parlamentare të opozitës, pasi siç tha, e ka lexuar mjaft qartë mesazhin e popullit në protestën e djeshme.
“Mesazhi juaj ishte i qartë, kështu nuk vazhdohet më. Kupa është mbushur dhe është derdhur. Koha e fjalëve ka mbaruar dhe ne nuk do të vazhdojmë të jemi fasadë e një Parlamenti të dalë nga bashkëpunimi me krimin . Jam sot këtu të them me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj në atë protestë të kthyer në referendum popullor: I kam propozuar grupit të Partisë Demokratike dhe forumeve më të larta partiake djegien e mandateve tona në këtë Parlament”, tha Basha.
Menjëherë, Partia Socialiste ka reaguar pas vendimit të kryedemokratit Lulzim Basha se do t’i sugjerojë grupit të tij parlamentar djegien e mandateve.
Deputetja Elisa Spiropali nënvizon se ky është një degradim i opozitës.
“Lulzim Basha tha se do digjte qeverinë dhe paska vendosur të djegë opozitën!
Sinqerisht nuk do ta dëshironim kurrsesi degradimin e tyre konstant, po në këto kushte, duhet pohuar kjo e keqe e ka një të mirë:
Nuk do t’i marrin më rrogat për ta ndotur Parlamentin me baltë e bojë!”, shkruan Spiropali.