Partia Demokratike depozitoi sot në SPAK dosjen për kullën me 65 kate “Mali i Tiranës”, 185 metra e lartë, që ka nisur të ndërtohet prapa Teatrit të Operas dhe Baletit.
Kryetarja e grupit të këshilltarëve të PD-së në këshillin bashkiak të Tiranës, Enriketa Papa së bashku me një grup këshilltarësh demokratë dorëzuan në SPAK dosjen e plotë denoncuese, kryesisht për mënyrën e financimit për ndërtimin e kulles më të lartë në Tiranë.
“Depozitojmë në SPAK kallëzimin e PD-së sa i takon kullës së re të miratuar në një nga lulishtet e pakta që i ka mbetur Tiranës. Kjo është në vazhdën e denoncimit të korrupsionit dhe bashkëpunimit të oligarkisë financiare me atë politike. Ky është hapi i parë. Indiciet janë mbledhur në kuadër të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave”, tha Papa në një prononcim për medie.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se “për Partinë Demokratike lufta ndaj korrupsionit është e panegociueshme”.
“Ne jemi të vendosur të përballemi me cilindo që ka shkelur besimin e qytetarëve për t’i hapur rrugë interesave korruptive dhe klienteliste, të cilat janë një kërcënim për mirëqenien e shqiptarëve”, tha ai.
Basha tha se kallëzimi i sotëm në SPAK i malit të korrupsionit në qendër të Tiranës, është provë e besimit të Partisë Demokratike ndaj institucionit më të rëndësishëm të akuzës.
“Mbështetja pa kushte ndaj drejtësisë është dëshmi e vullnetit tonë politik për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të inkurajuar transparencën mbi lidhjet e dukshme dhe të padukshme mes korrupsionit politik, krimit ekonomik dhe krimit të organizuar. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin”, tha Basha.