Partia Demokratike depozitoi sot në Gjykatën Kushtetuese padinë kundër marrëveshjes për Portin e Durrësit.
Në një prononcim për mediet para Gjykatës Kushtetuese, nënkryetari i PD-së Oerd Bylykbashi, e cilësoi atë një aferë e gatur në fshehtësi.
“Jo thjesht me mungesën e transparencës, por e bërë qëllimisht kështu, sepse është një grabitje e tillë e pasurisë publike për interesa private, marrja e pasurisë publike, Porti i Durrësit dhe dhënia për interes përfitimi individësh privat nën petkun e investitorit strategjik, por në fakt me kompani offshore që në fakt pas tyre qëndrojnë interesat e pushtetarëve. Pikërisht këtë ne e godasim në Gjykatën Kushtetuese. Shpresojmë se Gjykata Kushtetuese do të qëndrojë në nivelin e saj që pritet nga opinioni publik, dhe të zbatojë Kushtetutën në mbrojtjen e interesit publik”, tha ai.
Ai shtoi se Porti i Durrësit është një aset ekonomik i të gjithë shqiptarëve.
“Porti i Durrësit është atje si themel i një qyteti 3-mijëvjeçar dhe nuk mund t’u merret qytetarëve. Ne do ta bëjmë këtë betejë, sepse nuk mundet që magaafera më e madhe korruptive të jetë simboli i mënyrës së qeverisjes. Këtë PD nuk do ta lejojë”, tha Bylykbashi.
Kryeministri Rama reagoi menjehere ndaj deklaratave të opozitës për projektin e Portit Turistik të Durrësit.
“Sulmi haxhiqamilist i Aleancës së Rublave dhe bedelave të saj kundër projektit të Portit Turistik të Durrësit është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit, ndërkohë që tërbimi shpifarak është prova se i kanë bërë vetë tërë pisllëqet që akuzojnë!”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.
Rama theksoi se, “synimi i këtij sulmi të dëshpëruar është pengimi i këtij investimi të madh transformues për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë, përmes intimidimit të një prej kompanive flamur të Emirateve të Bashkuara, të cilën e kemi sjellë me mbështetjen e Presidentit, Sheikh Muhammed Bin Zayed”.
“Akuzat haluçinante kundër një kompanie ardhja e së cilës është përveç të tjerash një imazh i ri fitues i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, janë tallja e radhës me ata shqiptarë që akoma i ndjekin pas këta të shitur, pa fe, pa atdhe, pa din e as iman…”, u shpreh Rama.
/Argumentum.al