Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale se, rezultatet e para të monitorimit të dy satelitëve “Albania 1” dhe Albania 2” kanë krijuar tashmë një bazë të mirë të vëzhgimit të territorit, për parandalimin e zjarreve, përmbytjeve, ndërtimet informale apo edhe në fushën e sigurisë kombëtare.
Peleshi theksoi se kjo është, një arritje që e bën Shqipërinë pjesë të ekonomisë së re të hapësirës dhe fton specialistët e fushës t’i bashkohen rrjetit të ekspertëve në institucionet shtetërore.
Ditën e sotme u zhvillua eventi për prezantimin e produkteve të para të “Shërbimit satelitor” ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
Me një gamë të gjerë përdorimi, nga parandalimi i zjarreve te përmbytjet, duke vijuar te bujqësia dhe ndërtimi pa leje, Shqipëria përmes satelitëve të hedhur në hapësirë “Albania 1” dhe “Albania 2”, bëhet pjesë e epokës së ekonomisë së hapësirës.