Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se, “Shqipëria është në avangardë krahasuar me shumë shtete të tjera të rajonit, sepse ka hyrë me shpejtësi në procesin e modernizimit të të gjithë sistemit të mbrojtjes kibernetike”.
Gjatë punimeve të konferencës me temë “Sfidat e sigurisë kibernetike në Shqipëri”, Peleshi theksoi se, pas sulmit kibernetik të Iranit, mbrojtja dhe siguria kibernetike është vendosur në prioritetet kryesore në Shqipëri.
Peleshi theksoi se, “tashmë janë disafishuar buxhetet dhe kemi rritur masat për edukimin dhe ndërgjegjësimin në këtë drejtim”.
“Kjo konferencë është pjesë e kësaj përpjekjeje të madhe. Kemi rritur shumë lobimin dhe kemi zgjeruar rrjetin e partnerëve. Të gjithë këta elementë janë shumë të rëndësishëm sepse mbrojtja kibernetike nuk është një mbrojtje që mund të realizohet brenda kufijve të një vendi, por nevojitet që ne të ndërtojmë ura bashkëpunimi me sektorin privat”, tha Peleshi.
Ai theksoi se, Ministria e Mbrojtjes ka në misionin e vetë mbrojtjen e vendit, sigurinë kombëtare dhe mbrojtja kibernetike është pjesë e sigurisë kombëtare.
“Në Ministrinë e Mbrojtjes e kemi filluar punën para se të ndodhte sulmi dhe i kemi paraprirë situatës. Falë bashkëpunimit me SHBA-në kemi ngritur Njësinë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike. Kemi një financim nga SHBA prej 24 milionë euro për ngritjen e Qendrës Operacionale të Trajnimit dhe kemi gjithë paketën e nevojshme për të pasur një njësi të mbrojtjes kibernetike të gjithë sistemeve tona”, tha ai.
Ministri shprehu bindjen se, “ky do të jetë një vit me arritje konkrete pasi pritet të fillojë brenda vitit nga funksionimi Qendra Operacionale”.
“Kemi trefishuar strukturën dhe burimet njerëzore në njësinë tonë ushtarake të sigurisë kibernetike. Jemi pjesë e reformimit të sistemit të shpërblimeve dhe pagave për pozicionet e punës së sigurisë kibernetike, rrjeteve kompjuterike dhe teknologjisë së informacionit. Me sistemin e ri të pagave e shpërblimeve çdo i ri i punësuar do të ketë një trajtim të veçantë, madje dhe më të lartë se tregu privat”, shtoi ai.
Po ashtu, Peleshi theksoi se, në Akademinë e FA-së prej dy vitesh ka filluar Masteri i sigurisë kibernetike ku diplomohen çdo vit rreth 20 specialistë në këtë fushë.
“NATO ka Qendrën e Ekselencës së Sigurisë Kibernetike në Estoni, ku ne jemi pjesë dhe jemi në procesin e anëtarësimit të plotë në këtë qendër. NATO, së fundmi, po jetëson një projekt të inovacionit që quhet ‘Dajana’, me një fond prej 1 miliard euro për ngritjen e qendrave të testimit. Ne po ngremë qendrën e inovacionit në Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo qendër për 2-3 muaj do të jetë operacionale dhe do të jetë shtëpia, jo vetëm e sistemeve tona shtetërore në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, por edhe e startup-eve në këtë fushë, duke shërbyer si një laborator për të bërë kërkime”, tha Peleshi.