Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake priti sot presidenten e Hungarisë, Katalin Novak, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Shkup.
Në kuadër të vizitës, krahas takimit dypalësh, u mbajt edhe takimi plenar i delegacioneve zyrtare të Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë, pas çka presidentët Pendarovski dhe Novak mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Pendarovski në fjalën e tij theksoi se kjo vizitë po realizohet pasi kanë kaluar gati 20 vjet nga vizita e fundit zyrtare e një presidenti hungarez.
“Padyshim, Hungaria është një nga vendet më të zëshëm dhe më aktiv të Bashkimit Evropian në mbështetje të procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe një vend që luajti rol të rëndësishëm në vendimin për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut. Në takim u sigurova se do të vazhdojë kjo mbështetje e Hungarisë, e cila e konsideron zgjerimin si një nga politikat më të rëndësishme strategjike të BE-së”, tha Pendarovski.
Në takim, shtoi ai, u shkëmbyen mendime dhe informacione për situatën e sigurisë në kontinentin evropian dhe sfidat në këtë drejtim, në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe pasojat nga kjo luftë.
Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, theksoi mbështetjen për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera nga Ballkani Perëndimor, duke shtuar se nëse ky proces nuk mund të vazhdojë, do të shfaqet pesimizmi për anëtarësim.
Ajo foli edhe mbi migrimin e paligjshëm, duke shtuar se vitin e kaluar u dyfishua numri i emigrantëve të paligjshëm që mbërritën në Hungari përmes Ballkanit Perëndimor.
“Nëpërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor mbërrijnë një numër i madh i migrantëve të paligjshëm në Hungari dhe numri i tyre është dyfishuar gjatë vitit të kaluar. Për këtë shkak, është në interesin tonë të përbashkët të luftojmë kundër migrimit të paligjshëm dhe Hungaria po ndihmon në këtë aspekt, duke dërguar 30 policë hungarezë që po shërbejnë në kufirin maqedono-grek”, tha Novak.