Presidenti maqedonas ka dalë kundër idesë së Francës që BE të krijojë një partneritet special me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në konferencën e përbashkët me presidentin Ilir Meta, Stevo Pendarovski tha se e pranon vetëm nëse bëhet fjalë për një retorikë politike që më vonë nuk do të transformohet në BE.
Por theksoi se nëse qëndrimet e tjera zyrtare në të ardhmen shkojnë në këtë linjë, atëherë jo vetëm Maqedonia e Veriut por edhe të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të pranojnë asnjë alternativë tjetër përveç anëtarësimit.
Franca pritet të fillojë konsultime diplomatike jozyrtare, për të ofruar partneritet “të privilegjuar” për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas propozimit, mbështetja financiare, angazhimet speciale për qasje në tregjet evropiane dhe përfitime të tjera do t’u ofrohen vendeve të Ballkanit Perëndimor në këmbim të një “tërheqjeje të heshtur” të anëtarësimit të plotë.
“Ne nuk na mjafton vetëm të jemi pjesë vetëm e tregut të përbashkët evropian por duhet të jemi patjetër pjesë e institucioneve politike të Evropës që të miratojmë dhe zbatojmë ne vendet tona vlerat demokratike të BE. Nëse bëhet fjalë për një retorikë politike që më vonë nuk do të transformohet në BE, e pranoj si të tillë.
Por nëse bëhet fjalë që në periudhën e ardhshme zyrtare propozimet nga Komisioni Evropian dhe BE që të shkojnë në këtë linjë të formave të partneritetit dhe fqinjësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor mendoj se jo vetëm unë dhe vendi im, por të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një qëndrim të përbashkët dhe t’i thonë ‘jo’, për asnjë lloj alternative tjetër përveç anëtarësimit në BE”, tha ai.