Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë të martën se mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese “do t’i kushtoj edhe një dekadë” integrimit evropian të këtij shteti.
Ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues, parashihen me atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë për çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin maqedonas.
Por, për shkak të mungesës së konsensusit, mes pushtetit dhe opozitës, këto ndryshime nuk u miratuan dhe Maqedonia e Veriut nuk mori pëlqimin për nisjen e bisedimeve në samitin e fundit të BE-së.
“Me shtyrjen e ndryshimeve kushtetuese do të humbasim një mundësi tjetër që mund të na kushtojë të paktën edhe një dekadë nga integrimet, që do të thotë më pak progres ekonomik, standarde më të këqija për qytetarët dhe emigracion më i madh”, tha Pendarovski në fjalimin vjetor para deputetëve.
Megjithatë, Pendarovski tha se Maqedonia e Veriut “duhet të qëndrojë në rrugën e integrimeve evropiane, pavarësisht se cili pushtet ekzekutiv do të jetë në krye të vendit, pas zgjedhjeve të majit 2024, apo pavarësisht bllokadave nga Bullgaria”.
“Por, sigurisht që nuk është në interesin tonë strategjik që të bëjmë armik nga Bullgaria, sepse është në interesin tonë që të kemi një mjedis të qëndrueshëm dhe bashkëpunim produktiv me të gjithë fqinjët tanë”, tha presidenti Pendarovski.