Të pyetur, se kush është kërcënimi më i madh për paqen botërore, gjermanët e vënë gishtin në një sondazh të fundit tek një person, Donald Trump. Presidenti amerikan lë pas diktatorin Kim Jong Un, por edhe Putinin.
Megjithëse Uashingtoni është aleati më i ngushtë i Gjermanisë, besimi publik tek SHBA ka pësuar goditje të ndjeshme që nga koha e Donald Trumpit, sipas një sondazhi të institutit YouGov. Gjermanët janë pyetur, se kush është më i rrezikshëm – diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, presidenti kinez, Xi Jinping, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Khomenei apo presidenti amerikan, Donald Trump? 41% e të anketuarve përgjigjen, se Donald Trump është më i rrezikshëm se krerët e tjerë.
Në vendin e dytë ata rendisinn diktatorin koreanoverior, Kim, 17% e shohin atë të rrezikshëm për paqen. Më pas vjen Putini dhe Khomenei me 8%. Për nga rrezikshmëria renditet në fund presidenti kinez Xi me 7%. Në këtë anketim të YouGov me porosi të agjencisë gjermane të lajmeve morën pjesë më shumë se 2000 vetë.
Një sondazh i ngjashëm i You Gov u zhvillua vitin e kaluar në korrik, aty ishin 48% e gjermanëve që e mbanin Trump më të rrezikshëm, se Kim dhe Putin. Ky sondazh nuk përfshinte krerët e Iranit dhe Kinës.
Macron gëzon më shumë besim se Merkel
Një sondazh tjetër i grupit mediatik, “Funke Mediengruppe” i kryer nga Instituti Kantar nxjerr në pah, se gjermanët i besojnë më shumë presidentit francez, Emmanuel Macron se kancelares Merkel. 53% e të anketuarve thanë, se besimi i tyre tek Merkel është “përafërsisht i madh”, 44% kanë “pak besim” tek Merkel. Ndërsa për presidentin Macron 57% përgjigjen pozitivisht, vetëm 32% e vlerësojnë atë negativisht.
Edhe pesë krerë të tjerë shtetesh morën vlerësime negative. Fituesi i zgjedhjeve në Austri, Sebastian Kurz, tek i cili 33% e gjermanëve kanë pak a shumë besim dhe 41% pak besim. I katërti renditet Putin, që gëzon vlera më të mira sondazhi, (26% kanë besim 67% shumë pak besim) madje se kryeministri britanik, Boris Johnson (12 kundrejt 71%) dhe presidenti turk, Erdogan. Edhe në këtë sondazh presidenti amerikan, Trump renditet i fundit. 6% i besojnë shumë atij, kurse 89% e të pyeturve kanë shumë pak besim, duke e kategorizuar Trump si liderin botëror me shumë më pak besim. Instituti Kantar ka pyetur 1014 persona në një sondazh përfaqësues nga 12-19 dhjetor./Dw