Kemi dëgjuar shpeshherë ambasadorët e huaj që të flasin për peshq të mëdhenj që duhen të shkojnë pas hekurave pasi të realizohet reforma në drejtësi.
Kjo është pasuar dhe nga analiza dhe shkrime në media, ndërsa politika e ka shmangur gjithmonë si term.
Sot për herë të parë një ministre e qeverisë Rama ka përdorur termin Big Fish (Peshk i Madh), duke iu referuar presidentit Ilir Meta.
Ministrja Spiropali ka sulmuar presidentin Meta lidhur me dhënien e pasaportave shqiptare në shkelje të ligjit.
Në reagimin e saj në Facebook, Spiropali shkruan se kreu i shtetit është matrapaz duke lajmëruar se shumica do e durojë edhe pak, derisa partia e tij t’i bëhet hi.
“Big Fish-i i Presidencës jep qindra pasaporta në shkelje të ligjit. Nxjerr tallava-dekrete. Dërgon zuzarë matanë detit për të nxirë Shqipërinë. Sulmon, kërcënon, shantazhon gazetarë. Ta durojmë edhe pak big matrapazin. Derisa mikro partia t’i bëhet hi, por hiri kurrë më parti.” – shkruan Spiropali.
A do të jetë Meta Peshku i Madh i drejtësisë, apo kjo është një retorikë e qeverisë ndaj presidentit në luftën e përditshme të politikës, ngelet për t’u parë.
E rëndësishme tashmë është që evidentohet një “Peshk i Madh”./h.e