Në janar Shqipëria mori kryesimin e radhës të një organizatë ekonomike që ndonëse pa jehonë mediatike dhe politike ka bërë e po bën shumë për afrimin dhe bashkëpunimin rajonal, si kusht i pazëvendësueshëm dhe për anëtarësimin në BE. Është fjala për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Vendeve të Evropës Qendrore ( CEFTA) të krijuar më 21 dhjetor 1992 nga Polonia, Hungaria dhe Çekosllovakia, pjesëtarë të grupit të Visegradit. Aty aderuan të gjitha vendet e tjera të Evropës Qindore dhe Juglindore që aspironin anëtarësimin në BE. Meqenëse sipas statusit të saj, kur një vend anëtar hyn në BE largohet nga CEFTA, aktualisht kjo e fundit ka shtatë vende anëtare të Ballkanit Perëndimor plus Moldavinë.
Kjo është hera e dytë që Shqipëria kryeson CEFTA. Me këtë rast, dje në Bruksel Misioni ynë pranë BE-së në bashkëpunim me Ministrinë e Financave/Ekonomisë dhe Sekretariatin e CEFTA me seli në Bruksel organizuan ceremoninë zyrtare të marrjes së këtij kryesimi nga Kosova. Falë përvojës së pasur, me një staf tejet profesionist, me përvojë dhe të përkushtuar, Misioni ynë në Bruksel kishte siguruar një audiencë cilësore dhe të përzgjedhur për një rast të tillë; aty ishin përfaqësues të lartë të partnerëve dhe donatorëve kryesorë, Komisionit Evropian, dhomave/shoqata të tregtisë belge, ambasadori i Kosovës, Bernard Nikaj, ambasadorë e diplomatë të tjerë nga rajoni, ekspertë, etj.
Në përshëndetjen e saj, ambasadorja jonë pranë BE-së, Suela Janina, krahas vlerësimit të kryesimit nga Kosova, mbështetjes nga Komisioni Evropian, donatorët dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ( RCC) në krye të të cilit këtë vit është politikania Majlinda Bregu dhe Zyrës së saj ndërlidhëse në Bruksel evidentoi rolin dhe rëndësinë praktike të CEFTA në intensifikimin e bashkëpunimit rajonal në këtë fushë jetike dhe për përgatitjet për anëtarësimin në BE.
Zv. ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Zonja Albana Shkurta foli, siç flitet në Bruksel, shkurt, thjeshtë dhe qartë, duke ravijëzuar tri shtyllat e kryesimit shqiptar që janë, në fakt, dhe komponentët themelorë të CEFTA: Lehtësimi i tregtisë rajonale nëpërmjet zbatimit të masave dhe protokolleve përkatëse dhe shtesë si dhe zgjerimi i katalogut të këtyre instrumenteve; nxitja dhe lehtësimi i shërbimeve tregtare dhe për rrjedhojë i investimeve ndërmjet vendeve të rajonit dhe nga investitorë të tjerë të huaj. Lidhur me lehtësimin dhe zgjerimin e shërbimeve tregtare, ndër të tjera zonja Shkurta nënvizoi krijimin e një platforme të shërbimeve tregtare, përparime të mëtejshme në heqjen e pengesave tarifore dhe jo-tarifore, shkurtimin e kohës së përpunimit të automjeteve me persona dhe mallra në pikat e kontrollit doganor dhe kufitar e sidomos krijimi i sistemit unik ( one stop shop) të këtyre kontrolleve; lehtësimin e lëvizjes së afaristëve, ratifikimi dhe zbatimi i marrëveshjeve për njohjen e ndërsjellë të operatorëve ekonomikë, etj. Së treti, të gjitha këto masa, krahas krijimit të Komâktit të Investimeve do t’i shërbejnë promovimit të investimeve rajonale dhe me gjerë në rajon. Për rrjedhojë, do të nxitet dhe procesi i krijimit dhe funksionimit të Zonës Ekonomike Rajonale.
Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, kryesia shqiptare do të shtojë kontaktet me donatorët dhe shërbimet përkatëse të Komisionit Evropian për sigurimin e fondeve të nevojshme për zbatimin e këtyre dhe të tjerave instrumenteve.
Lidhur me këto dhe aspekte të tjera më të detajuara pati një konsensus të plotë dhe nga zyrtarët e lartë të Komisionit Evropian nga të cilët u përmend mbështetja për këto procese jetike që janë pjesë përbërëse dhe të Strategjisë së Zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, duke vlerësuar hapat e dhe predispozicionin pozitiv të treguar gjatë kryesimit nga Kosova ; përjashtim bëri vetëm taksa e diskutueshme, të paktën nga këndvështrimi i CEFTA mbi mallrat serbe që u përmend dhe në këtë takim, me besim se do të zgjidhet në kuadrin e dialogut me Serbinë. Po ashtu, Përfaqësuesi i USAID u shpreh me vlerësime për përvojën dhe ekspertizën e treguar nga pala shqiptare dhe rolin e saj në këto fusha.
Ambasadori Veselin Valkanov, Shefi i Zyrës Ndërlidhëse në Bruksel, veçoi bashkëpunimin efektiv të CEFTA me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal ( RCC) dhe Misionin e Shqipërisë në Bruksel.
Në fakt, kur je në takime të kësaj natyre, krijon një ndjesi pozitive tek dëgjon të flitet me vlerësime pozitive për vendin dhe më konkretisht për ekspertët dhe dikasteret tona të linjës. Për fat të keq, pa mohuar problemet dhe sfidat në administratën tonë publike, për shkak të politizimit dhe nihilizimit të tejskajshëm, krijohet në jo pak raste perceptimi i gabuar sikur gjithçka është e zezë. Harrohet se gjatë 30 viteve të fundit, është krijuar dhe një kastë me ekspertë dhe teknicienë të përkushtuar e të spikatur që të nderojnë me praninë dhe punën e tyre dhe në institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare; ndaj kujdes, ta ndajmë «shapin nga sheqeri».
Në vijim, takimi vazhdoi me një bashkëbisedim miqësor ndërmjet të pranishmëve, ku vera shqiptare kujtoi dhe njëherë rëndësinë e marketingut të produkteve tona cilësore. Ide e gjetur dhe vlerë e shtuar që në forume të tilla të ofrohen pije dhe delikatesat tona ushqimore.
Edhe Ministria e Financave e kishte vlerësuar drejt këtë veprimtari, duke dërguar zv.ministren që mbulon CEFTA-n, këshilltaren e ministres, drejtoren përkatëse, etj. Me ndonjë mangësi teknike që fare lehtë mund të ishte shmangur, sidomos mungesa e një fletëpalosjeje të thjeshtë e ndonjë elementi tjetër, ky takim rezultoi i dobishëm dhe u vlerësua nga të pranishmit. Ndërkohë, ata vazhdojnë deri në fund të kësaj jave takime intensive në Bruksel për fillimin e zbatimit të projekteve dhe objektivave që ka shpallur dhe në përgjithësi kryesimin e CEFTA.
Le ta themi se sfidat dhe problemet e lartpërmendura nuk janë aq të thjeshta dhe të bukura në zbatim sa kur thuhen. Sepse kanë të bëjnë me ligje, procese dhe procedura të çdo vendi, që kërkojnë veç të tjerash vullnet politik, konsensus publik dhe harmonizim me korpusin ligjor të BE-së. Nga ana tjetër, dinamika e tregtisë dhe shërbimeve, investimeve, barrierave tarifore dhe doganore është e tillë që arritjet dhe realizimet harrohen shpejt nga njerëzit, sepse kërkesat dhe pretendimet e tyre shtohen pa pushim, sidomos nga subjektet afariste dhe investitore.
Së fundi, kryesimi i CEFTA është dhe një lloj « nxemje » e vogël përpara presidencës sonë të OSBE-së më 2020. Ndonëse e një formati shumë më të vogël dhe e një natyre tjetër, pse të mos e themi se CEFTA dhe kryesimi i saj këtë vit është më e rëndësishme për ne; sepse ka të bëjë me klimën dhe bashkëpunimin’ rajonal, me hallet dhe jetën tonë të përditshme; aq më tepër, kur ky kryesim përkon në kohë me periudhën kur ne presim çeljen këtë vit të negociatave të anëtarësimit në BE.
Ndaj, ecuria dhe suksesi i kryesimit tonë të CEFTA, modest siç mund të duket, ka vlerën e vet të shtuar për një vlerësim pozitiv nga BE-ja në qershor dhe brenda këtij viti. Në këto kushte, na mbetet vetëm të shpresojmë që këto rezultate të pritshme në CEFTA dhe në fusha të tjera të shoqërohen detyrimisht me përparime në plotësimin e kushteve dhe kërkesave kryesore e të njohura politike, të cilat janë dhe mbeten vendimtare për çeljen e negociatave. Gjithsesi, takimi në Bruksel la një shije të mirë dhe premtuese./gsh