Nga Ardit GJINALI*
Samiti i “BRDO-BRIONIT” është më shumë se një nismë e përbashkët “Lubjanë-Zagreb” në kuadër të inkurajimit të dialogut dhe besimit të ndërsjelltë mes shteteve të Rajonit në një periudhë ku dialogu ishte vështirësisht i realizueshëm….Samiti u krijua në një kohë kur entuziazmi Europian i zgjerimit po goditej dhe skepticizmi po uzurponte hapësirat politike të mendimit dhe veprimit në Brukselin politik të kohës, gjithashtu. Nisma mbetet e qëndrueshme në kohë dhe plotësisht e pranuar politikisht nga secili vend pavarësisht realiteteve të ndryshueshme politike përkatëse ….gjithëpërfshirja është thelbi që ka mbetur i pacënuar në secilën periudhë të rrugëtimit politik të samitit.
Samiti i “BRDO-BRIONIT” vijon të jetë një moment takimi politik i përvitshëm i shteteve të Rajonit të Ballkanit në nivel përfaqësimi të Kryetarëve të Shteteve përkatëse me një përfaqësim të barabartë protokollar, gjithashtu- Samiti është krijuar si një dëshmi e vullnetit të përbashkët të Zagrebit dhe Lubjanës zyrtare për inkurajimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve dhe inkurajimin e përmbushjes së hapave të Proçesit Euro-Integrues.
Samiti i “BRNO-BRIONIT” mbetet një vlerë vazhdimisht pozitive që dëshmon përpjekjen e pandalur për ruajtjen e drejtimit Euro-Perëndimor të Rajonit në aspiratë dhe përpjekje Integruese dhe zvogëlimin e hendekut politik mes Shteteve të ndryshme të Rajonit, gjithashtu.
Në takimin e 11-të të Samitit i mbajtur në Shtator 2022 në Slloveni u miratuan përkatësisht gjashtë përfundime në formën e apel-kërkesës të parashtruara nga Presidenti Slloven PAHOR të tillat që mund të citohen si vijon – “Ritheksojmë rëndësinë e zgjerimit të BE-së si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, zgjerimi është më shumë se kurrë gjeopolitikë; – Ne bëjmë thirrje për një proces më të shpejtë të integrimit në BE, në përputhje me kushtet e njohura për anëtarësim; -Ne bëjmë thirrje për dhënien e statusit kandidat Bosnje dhe Hercegovinës deri në fund të vitit 2022; -Ne bëjmë thirrje për një regjim pa viza për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022 ; -bëjmë thirrje BE-së të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor në zbutjen e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike dhe – Ne afirmojmë përkushtimin tonë për dialogun si e vetmja mënyrë për të kapërcyer dallimet në rajon”.
Të gjitha pikat e parashtruara më lartë mbeten dëshmi e një vullneti pozitiv të shprehur përmes qëndrimeve të Lubjanës dhe Zagrebit…..dëshmi e një vullneti të konsoliduar vit pas viti në koherencë me zhvillimin e përvitshëm të samitit, gjithashtu. Platforma gjashtë-pikëshe është një thirrje e rëndësishme drejtuar Unionit përkatësisht nga dy pjesëtarë të familjes politike Europiane përkatësisht Lubjana dhe Zagrebi, por dekada e fundit imponon pozitivisht një reflektim të ri kundrejt angazhimeve të shprehura, nismave të ndërmarra dhe vullneteve të afirmuara në vazhdimësi…..vullneti është i rëndësishëm, por i tilli mbetet i përmbushur pjesërisht në mungesë të akteve të qenësishme që mund dhe duhet të tejkalojnë të njëjtin.
Zhvillimet e reja gjeopolitike që burojnë nga konflikti në Ukrainë si pasojë e qëllimeve territorialisht zgjeruese të Kremlinit kërkojnë një zë politik të lartë dhe veprim pro aktiv që tejkalon vullnetin e shprehur përmes qëndrimeve të përsëritura në kohë politike të ndryshme-koha thërret për një tejkalim të zakonshmërisë përsëritëse politike në rajon dhe një përfshirje intensive të Lubjanës dhe Zagrebit si zë-shprehësit politikë të qëndrimit të Unionit.
Një vit më parë, Presidenti Slloven PAHOR do të deklaronte që nisma si “Proçesi i Berlinit” e gjejnë zanafillën e krijimit nga përvoja pozitive e samitit të “BRDO-BRIONIT” …..dialogu pa kushte dhe gjithëpërfshirja mbeten vlerat themelore që kanë garantuar qëndrueshmërinë e proçesit në vetvete.
Dinamika pozitive aktuale e inkurajuar përmes ripërtëritjes së angazhimeve Europiane mbi Proçesin e Berlinit fton për të menduar një ridimensionim të nismave rajonale në kuadër të inkurajimit të arritjes së rezultateve të prekshme në Proçesin e Integrimit Europian-një ridimensionim i samitit të “BRDO-BRIONIT” mbetet një domosdoshmëri , e tilla në koherencë me rritjen e përfshirjes së Lubjanës në Proçesin e Berlinit që mbetet i një rëndësie të veçantë strategjike…i njëjti mbetet thelbësisht origjina politike e akteve që jetësojnë vullnetin gjashtë- pikësh të shprehur nga Presidenti Slloven…..Proçesi i Berlinit është fillimi dhe vazhdimi i rrugës europiane të Rajonit dhe realizimi i qëllimeve të tij strategjike mund të arrihet përmes një proçesi shumëpërfshirës të aktorëve si Lubjana apo dhe të aktorëve politikë tradicionalë në sferën perëndimore me lidhje thelbësore me Rajonin e Ballkanit si Viena zyrtare, gjithashtu.
Tre marrëveshjet e firmosura në Berlin në kuadër të Proçesit të Berlinit së bashku me objektivat në vazhdim kërkojnë implementim dhe miratim nga secili shtet apo tejkalim i ngërçeve që burojnë nga mosmarrëveshjet historike kërkojnë një ndërhyrje pozitive të aktorëve rajonalë si Zagrebi, Lubjana apo aktori perëndimor si Viena…..realizimi i qëllimeve të Proçesit të Berlinit kërkon jo vetëm shumë-përfshirje por gjithashtu kërkon dhe një dialog me frymë Euro-Integruese me qëllim final të arritjes së një rezultati pozitiv të Integrimit….dialog me kushtin për secilin shtet që i tilli të sjellë rezultate të prekshme në ecurinë e secilit shtet apo dhe në.
Ridimensionimi i Samitit të “BRDO -BRIONIT” do të thotë një rol i dimensionuar aktivisht ku përtej dialogut kërkohet veprim dhe Koha për veprim për fillimin e jetësimit të Proçesit të Berlinit është tani .
*Ekspert për Marrëdhëniet Ndërkombëtare
/Argumentum.al