Partia Socialiste çeli sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, nën sloganin “Shqipëria 2030 në BE”.
Me një skenë ku në qendër janë 12 yje që simbolizojnë 12 yjet e flamurit të BE-së, eventi elektoral nisi me prezantimin e kandidatëve për deputetë në 12 qarqe, shoqëruar me performancën me këngë e valle tradicionale.
Prezantimin e ekipeve garuese për zgjedhjet e 11 majit e nisi drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Dibrës, Blendi Klosi, i cili shprehu bindjen se Partinë Socialiste do ta votojnë masivisht në këtë qark.
“PS është një parti me 100 mijë anëtarë të partisë, një parti që merr 1 milion vota, e cila i fiton zgjedhjet se ju ka të gjithëve ju me vete, e cila drejtohet nga Edi Rama, vizionari i cili shndërroi Shqipërinë në një vend të gatshëm për të hyrë në BE”, tha Klosi.
Sipas tij, “ky shesh i madh është simbol i transformimit të Shqipërisë europiane”.
“Qarku i Dibrës në këto zgjedhje do të votojë masivisht PS-në. Ne besojmë fort te kjo forcë politike që ka shumë organizim, frymë dhe mbi të gjitha një lider që atë që premton e bën”, tha ai.

Qarku i Fierit kishte zgjedhur të vinte i shoqëruar me grupin e njohur të qytetit Free Mc’s.
Drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Belinda Balluku në fjalën e saj në çeljen e fushatës së PS-së në sheshin “Skënderbej” u shpreh se ky mandat duhet për të çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian.
“E gjithë Shqipëria do të votojë për PS-së. Nuk ka më bukur kur mblidhemi të gjithë bashkë, kur krijojmë këtë energji që shkon në themelet e Shqipërisë për t’i forcuar ato dhe për ta çuar këtë vend përpara si vetëm Edi Rama di.
Po kërkojmë një mandat të katërt. Mandati i katërt duket si shumë për ata që hedhin çdo ditë baltë mbi ne, po ky është mandati i shqiptarëve, ky është mandati i cili do të përmbushë një marrëveshje të cilën Edi Rama ka nënshkruar me popullin shqiptar në 2013-n, për ta çuar Shqipërinë njëherë e mirë në Europë, për t’i bërë shqiptarët anëtarë të BE-së ashtu siç i takon. Tashmë është koha që shqiptarët t’i bashkohen asaj tryeze, që është tryeza e tyre natyrale”, tha Balluku.
Balluku shtoi se “qarku i Fierit ka një objektiv: 10 mandate deputetësh për t’i ulur në sallën e parlamentit shqiptar. Siç më tha dhe shoku Gramoz sot në mëngjes, priten 11 mandate nga ne. Me Edi Ramën në krye nuk ka asgjë që na ndal”.
Ndërsa qarku Kukës u prezantua me vallen tradicionale të zonës. Drejtuesi politik i PS për këtë qark, Eduard Shalsi tha se “historia e këtij sheshi është historia e tranzicionit shqiptar nga kioskat e fillimviteve ’90, te ai projekti i atyre që është copëtuar sot në disa parti që po i shesin shqiptarëve ca alternativa të reja, demek. Ky shesh është epidomë e modernizimit dhe evropianizimit të Shqipërisë për të cilën idenë Edi Rama e ka pasur shumë vite më parë. Jam i emocionuar si asnjëherë tjetër”, tha Shalsi.
Ai tha se PS ka transformuar Kukësin, Hasin e Tropojën duke theksuar se “Rama ka çuar ujësjellësin deri në Viçidol”, fshatin ku ka lindur kreu i PD.
“Qarku i Kukësit nuk është një krahinë, por është zemër, histori dhe traditë. Ne u përshëndesim dhe iu përcjellim edhe atyre tropojanëve, hasjanëve dhe kuksjanëve që nuk mund të vinin këtu. Kukësi ka provuar mikpritje të jashtëzakonshme për vëllezërit dhe motrat tona nga Kosova. Mbaj mend Kukësin vite më parë, qyteti brenda baltë, shkova pas disa vitesh në Tropojë dhe nuk e njoha Tropojën”, tha Shalsi duke shprehur mirënjohjen për pritjen që i kanë bërë dhe përgjegjësinë që ka për të drejtuar këtë qark.
Qarku i Durrësit prezantoi kandidatët nën tingujt e muzikës italiane të Ricchi e Poveri: “Sara perche ti amo”.
Drejtuesja politike e PS-së për qarkun e Durrësit, Emiriana Sako u shpreh se Durrësi, Kruja dhe Shijaku hyjnë në këtë garë si fitues me 8 deputetë në Kuvend dhe do ta përfundojnë garën të paktën me 9 deputetë.
“Përshëndes të gjithë emigrantët që sot na ndjekin në rrjetet sociale, qytetarë të Durrësit, Shijakut dhe Krujës, të cilët janë të shumtë dhe do t’i kemi mbështetje të jashtëzakonshme”, tha ajo.
Sako shprehu bindjen se qytetarët e këtij qarku do t’i besojnë PS-së mandatin e katërt për t’i dhënë të gjithë fëmijëve pasaportën e qytetarëve të barabartë të Europës.

“Qytetet tona janë transformuar falë mbështetjes së Edi Ramës. Nxënësit kanë shkolla bashkëkohore, industria e turizmit ka ecur me shpejtësi marramendëse, infrastruktura është zhvilluar. Do t’ia besojnë mandatin e katërt PS-së dhe Edi Ramës për të ndërtuar vepra të tjera madhore të shumëpritura si Marina e Durrësit, porti i Porto Romanos, stadiume, Akademinë e Mancester City dhe Rafa Nadal që ishin ëndrra më parë. Vota e 11 majit do të bashkojë të majtë e të djathtë, se vetëm me Edi Ramën dhe PS-në, shqiptarët do ta fitojnë vendin që u takon në sofrën e Europës”, tha Sako.
Prezantimi i kandidatëve të qarkut të Lezhës nisi me performancën e një lahutari, ndërsa një i ri recitoi poezinë “Gjuha Shqype”, të poetit Gjergj Fishta.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës, Ulsi Manja, tha se do të marrin 4 nga 7 mandate në qarkun e Lezhës.
“Shqipëria ka qenë prej moti në Evropë, por me Edi Ramën dhe PS më 11 maj ne do ta sjellim Europën në këtë shesh për të folur shqip edhe ne njëlloj si gjithë të tjerët me familjen e madhe evropiane.
Më 11 maj Lezha, Kurbini dhe Mirdita do të votojnë Edi Ramën dhe PS për të marrë jo më pak 4 mandate nga 7 që ka qarku i Lezhës”, u shpreh Manja.
Qarku i Elbasanit u prezantua me këngën “Ne ecim përpara”, kënga që shoqëroi fushatën e PS gjatë zgjedhjeve të kaluara, e shkruar nga Petrit Vullkani.
Drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku shprehu bindjen nga sheshi “Skënderbej”, ku çel sot zyrtarisht fushata e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, se ky qark e ka ndarë mendjen për të shkuar drejt Evropës vetëm me PS dhe Edi Ramën.
“Sot, Shqipëria është në një udhëkryq, dhe përpara kemi një ndër sfidat më të mëdha që Shqipëria ka pasur ndonjëherë: bërjen realitet të ëndrrës së shqiptarëve prej qindra vjetësh për të qenë qytetarë të barabartë me të gjithë qytetarët e Evropës”, tha Mazniku.
“Librazhdi e ka ndarë mendjen me PS drejt Evropës për zhvillimin e turizmit, Gramshi e ka ndarë mendjen për rivitalizmin e industrisë së mbrojtjes, Cërriku e ka ndarë mendjen me PS dhe Edi Ramën drejt Evropës për t’i dhënë zhvillimin që duhet bujqësisë, Peqini e ka ndarë mendjen drejt Evropës për t’u ndërlidhur me autostradat e reja dhe linjat e trenit që po lidhin Elbasanin me gjithë Shqipërinë dhe Evropën”, pohoi Mazniku.
Drejtuesi politik i PS për Elbasanin, shtoi se edhe Përrenjasi e ka ndarë mendjen për të rivitalizuar turizmin dhe industrinë minerare. “I gjithë qarku Elbasanit e ka ndarë mendjen, i qartë, i sigurt që ne do të ecim drejt Evropës. Belshi e ka ndarë mendjen për agroturizmin, bujqësinë dhe turizmin. Dhe qarku Elbasanit është i vendosur që do të vijë me nëntë mandate me rezultatin më të mirë që PS ka pasur ndonjëherë, për të siguruar që jo vetëm Elbasani, por gjithë Shqipëria të ketë rezultatin më të mirë që ka pasur ndonjëherë, për të folur jo vetëm Elbasani, por gjithë Shqipëria që e ka ndarë mendjen me PS dhe Edi Ramën drejt Evropës”, tha Mazniku.
Nën tingujt e muzikës qytetare shkodrane “Si ke nje ti zoja Shkodër?” u prezantuan kandidatët për deputetë të PS-së të qarkut të Shkodrës.
Drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Shkodrës, Benet Beci u shpreh se kjo ishte kënga frymëzuese e fitores simbolike për atë që po vinte në vitin 2023 për zgjimin e qytetit të Shkodrës.
“Ajo frymë e zhvillimit ka nisur të shpërndahet kudo, në Malësi të Madhe, Pukë, Fushë-Arrëz, Vaun e Dejës dhe këtë radhë besoj se fitorja do të jetë shumë më e madhe se ajo e vitit 2023”, tha Beci.
Beci theksoi se me investimet që sot po kryhen në Shkodër ky qytet është kthyer në kantier ndërtimi nga hyrja e Shkodrës, në Dukagjin.
“Shkodra realisht është porta e Europës në Shqipëri. Dhe ne me premtimet që kemi dhënë dhe punën që po bëhet kemi provuar se bashkëpunimi i pushtetit vendor dhe qendror është kyçi i suksesit tonë të viteve të fundit. Jo vetëm hyrja e Shkodrës, rruga e Dukagjinit, rrugët rreth Shkodrës, kthimi i Shkodrës në qendër rajonale, na bëjnë sot besimplotë dhe themi me plot gojën se besimin që na dha Shkodra këto dy vite do ta çojmë më tej. Së paku me 5 mandate Shkodra do të vijë në këto zgjedhje. Shkodranët janë shumë falënderues për kryeministrin që ka kthyer kokën nga Shkodra. Ne do të punojmë që Shkodra të meritojë atë suport që qeveria ka dhënë vitet e fundit. Ne do të jemi qyteti i surprizave me më shumë se 5 mandate në këtë qytet”, tha Beci.
Me këngën e Parashqevi Simakut “E duam lumturinë”, interpretuar nga këngëtari Tiri, nisi prezantimi i kandidatëve të qarkut të Tiranës. Pas tij këngëtarja Eranda Libohova këndoi “Napolonin”, e cila u shoqërua edhe nga interpretimi i valles tradicionale tiranase. Të dy këngëtarët Tiri dhe Eranda Libohova kënduan këngën “Ku ka si Tirona”.
Drejtuesja politike e qarkut të Tiranës, Ogerta Manastirliu u shpreh se “këto 30 ditë që kemi para nuk janë thjeshtë 30 ditë fushate, por 30 ditë vendimtare për të vulosur një zgjedhje që ka nisur prej kohësh që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së që progresi të bëhet jo pakthyeshëm”.
“Tirana është shembëlltyra e këtij transformimi falë vizionit dhe punës së Edi Ramës dhe PS-së, kudo në çdo cep të Tiranë ndihen ndryshimi. Tirana është motori i zhvillimit të një Shqipërie që nuk punon dhe nuk ndalet”, tha Manastirliu.
Nga ana tjetër Elisa Spiropali, bashkëdrejtuese politike për qarkun e Tiranës, tha se nga Tirana do të fillojë fitorja e madhe e PS-së.
“Në këto 3 mandate Edi Rama dhe kjo skuadër ka treguar se janë maratonomakë politikë për Shqipërinë dhe me Shqipërinë. Kjo është beteja me Shqipërinë në Evropë apo aty ku kemi qenë në gropën e atyre nuk dolën dot as vetë. Sot Shqipëria është Shqipëria Europiane dhe në 2030 ne do të fitojmë, me Edi Ramën me PS-në”, tha Spiropali.
Qyteti i gurtë i Gjirokastrës u ngjit në skenë me muzikën polifonike, traditë e zonës së Labërisë.
Drejtuesja Politike për Partinë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, në fjalën e saj, duke prezantuar kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e 11 majit nën siglën e PS, u shpreh se “kjo ishte vetëm një pikë floriri nga qarku i Gjirokastrës ku ne si numri 5 i PS jemi pesë shkokë: me Anilën nga lugina e Përmetit, Shyqyriun nga zemra e Toskërisë në Memaliaj, kemi Tërmet Peçin nga zemra e Tepelenës dhe Pirro Dhima nga zemra e Lunxhërisë, bashkë me mua nga Libohova dhe kalaja e Gjirokastrës”, tha Kumbaro.
“Ne flasim me punë. Gjirokastra me shtatë bashkitë e veta janë modeli më i qartë i asaj çfarë është në gjendje të bëjë PS dhe Edi Rama në krye. Është shembulli se si shqiptarët e kthejnë Gjirokastrën nga një mal, në një pasaportë të turizmit në Shqipëri”, tha Kumbaro.
Ajo tha se “PS ka vulosur tanimë 3 mandate dhe synon fitoren 4-0 në qarkun e Gjirokastrës”.
Kumbaro po ashtu përshëndeti nga sheshi “Skënderbej” edhe shqiptarët në Greqi, duke theksuar se bashkë me diasporën në 11 maj, Shqipëria dhe PS do të vendosin përfundimisht fatin e saj, duke votuar PS për të qenë anëtare e BE brenda vitit 2030.
Nën tingujt e këngës qytetare beratase u prezantuan kandidatët për deputetë të PS-së të qarkut Berat, ndërsa drejtuesi politik Ervin Demo bëri një përshëndetje për të gjithë nga Skrapari në Poliçan, nga Dimali në Kuçovë dhe Berati i magjishëm.
“Ne jemi të gjihë evropianë, për një arsye shumë të thjeshtë, se ne jemi të gjithë krenarë që jemi shqiptarë, dhe nuk ka rrugë për integrimin në BE nëse nuk ndihemi komodë në lëkurën tonë. Ne jemi të lumtur për atë që ka ndodhur në Shqipërinë e magjishme, jemi krenarë që në Berat kanë ndodhur transformime të jashtëzakonshme, dhe jemi akoma më shumë krenarë që data 11 maj është një udhëkryq i rëndësishëm për vendin tonë: mendjen shqiptarët e kanë shumë të kthjellët, janë me Edi Ramën dhe PS, janë me Shqipërinë”, pohoi Demo.
Demo tha gjatë fjalës së tij, se në Berat qytetarët janë me zemër me PS dhe Edi Ramën, teksa u shpreh me bindje se 11 maji do të jetë një rrugëtim i jashtëzakonshëm për qarkun Berat. “Ne kemi projekte madhore të cilat do të transformojnë në mënyrë rrënjësore qarkun tonë, rruga Berat-Skrapar që ka qenë një ëndërr e jashtëzakonshme për ata banorë, por është një ëndërr që e kthen Beratin në zemrën e jugut të Shqipërisë, që e lidh me Korçën, Gjirokastrën etj. E kthejmë Beratin në një motor zhvillimi, që ne sot as nuk mund ta imagjinojmë në 11 maj kemi vetëm një fjalë: numrin 5 dhe Edi Ramën”, tha Demo.
Qarku i Vlorës u prezantua me këngë të polifonisë labe si dhe me një kolazh vallesh popullore.
Drejtuesi Politik i qarkut të Vlorë Bledi Çuçi tha se “jemi këtu në këtë shesh në një koment historik, jo për të kërkuar votën tuaj, por për të bërë realitet pasaportën evropiane për çdo shqiptar”.
Çuçi shtoi se “Vlora, nga një qytet i harruar dhe i degraduar, sot është kthyer në një nga perlat e Mesdheut”.
“Ndryshimi ndihet në çdo cep për gjatë gjithë Rivierës si dhe në brendësi të fshatrave malore, duke sjellë mirëqenie, punësim dhe zhvillim në çdo skaj. Ju premtojmë se do të vijmë në datën 12 maj me 9 mandate, se qytetarët e këtij qarku dinë të njohin ndryshimin, janë mjaftueshëm të mençur për të mos hedhur votën në kënetë”, tha Çuçi.
“Ta kthejmë qarkun e Vlorës në një motor ekonomik rajonal. Nuk kërkojmë vetëm votën e socialistëve, por të çdo qytetari që beson se Europa është destinacioni ynë natyral”, tha Çuçi.
Nën tingujt e këngës “Dua më shumë Shqipërinë”, janë prezantuar kandidatët e Partisë Socialiste për qarkun e Korçës në zgjedhjet e 11 majit.
Drejtuesi politik i PS për këtë qark, Niko Peleshi, tha se Shqipëria në Perëndim e ka zanafillën që nga shpata e Skënderbeut, ndërsa u kthye në meritë në Luftën e Dytë Botërore, kur shqiptarët u rreshtuan në krahun e duhur të historisë. “Dhe pastaj e humbëm rrugën për gjysmë shekulli dhe klithëm nga thellësia e vetëdijes kombëtare në këtë shesh në dhjetor ’90: E duam Shqipërinë si gjithë Evropa. 35 vite ecëm, u rrëzuam, u ngritëm ne shqiptarët. Ne socialistët ndërtuam, disa të tjerë pas nesh prishën dhe pastaj ne gjetëm një timonier 12 vjet më parë. Timonin e Shqipërisë e mori Edi Rama, punuam në çdo cep të Shqipërisë për t’i dhënë fytyrë evropiane”, tha Peleshi.
Sipas Peleshit, “sot është dita për t’i vënë vulën ëndrrës së Rilindjes Kombëtare për Shqipërinë evropiane, sepse ne jemi Evropa, shqiptarët janë evropianë. Në Korçë, Pogradec, Maliq, Pustec, Kolonjë kemi punuar krahas shqiparëve në gjithë Shqipërinë dhe sot jemi në një fushatë që nuk është e PS. Ndaj, sot gjithë Shqipëria shikon flamujt kombëtarë, jo flamujt e partive. Ndaj sot nga zemra e Shqipërisë, e shqiptarëve në Shqipëri dhe diasporë ne brohorasim dhe i ftojmë të gjithë pa dallim, përtej kufirit të partive politike, për Shqipërinë evropiane. 11 maji është vula e Shqipërisë evropiane me Edi Ramën dhe PS”, pohoi ai.
Peleshi theksoi se “vetëm me Edi Ramën dhe PS ne mund t’i japim vulën e anëtarësisë, pasaportën evropiane. Këto zgjedhje janë të PS, janë të Shqipërisë, të shqipëtarëve me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”.