REALPOLITIK FLASH NR. 73
18 – 31 KORRIK 2023
Mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i madh
Dr. JORGJI KOTE
1.Për ujë të ftohtë! Kjo shprehje e mirënjohur i shkon shumë për shtat raportit më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e mjerueshme të biznesit dhe investimeve të huaja në Shqipëri. Në kuptimin që kur i lexon, nuk di nga t’ia nisësh më parë me mungesat, pengesat dhe vonesat – korrupsioni i përhapur në çdo qelizë të jetës, në prokurime, arsim, shëndetësi, koncesione, administratën publike, krimi i organizuar që gjithashtu ka depërtuar tanimë në sferat më të larta të qeverisjes qëndrore, informaliteti ekonomik, ndryshimi i shpeshtë i ligjeve, ritmet e ngadalta të refomës së drejtësisë e plot kusure të tjera.
Aq sa kur i lexon ato të vjen ndërmend shprehja ” e bëri për ujë të ftohtë” Ndaj nuk ishte thjesht koincidencë dhe nga të nxehtit afrikan që mbledhja maratonë e qeverisë u bë në ” Ujët e Ftohtë” në Tepelenë”. Por, prapë, poliktika jonë kundërpërgjigjet me retorika boshe paasnjë njoftim shtypi! E keqja është se këto ” bëma” trembin jo vetëm investitorët e huaj por këdo, me pasoja të pallogaritshme deri te emigrimi me ritme të larta.
2.Ndërroni taktikat! Është fjala për Perendimin për të çbllokuar situatën midis Prishhtinës dhe Beogradit. Siç e kemi paralajmëruar dhe më parë, kjo kërkon detyrimisht që SHBA-të dhe BE-ja të ndërrojnë sa më parë strategjinë e tyre. Më konkretisht, Diplomacinë Qetësuese ta zbatojnë ndaj Kosovës dhe atë Shtrënguese ndaj Serbisë e jo anasjelltas si deri tani. Vetëm kështu mund të shpresohet për një kthesë të shpejtë, ndryshe gjërat do ”të bien nga shiu në breshër”.
3. Partneritet apo vasalitet?
Më 27 Korrik u mbajt në Shën Petersburg Samiti Rusi – Afrikë ” Për paqe, siguri dhe zhvillim” Synimi i vërtetë kryesor gjeopolitik i këtij Samiti, i dyti pas atij të Sotchit më 2019 ishte të ndihmojë në demarshet e shumta që po bën Rusia për reabilitimin e saj në skenën ndërkombëtare. Dhe në këtë drejtim, Afrika paraqet shanse dhe mundësi të mëdha në shumë fusha jetike.
Veç aspektit të jashtëm, brenda vendit, qeveria ruse synon të krijojë perceptimin publik se lufta e padrejtë kundër Ukrainës nuk e ka cënuar imazhin ndërkombëtar të Rusisë. Për këtë ndihmon dhe fakti historik se Rusia ka patur marrëdhënie tradicionale bashkëpunimi me shumicën e vendeve afrikane që nga periudha e Luftës së Ftohtë. Lidhur me qëndrimin politik ndaj Rusisë shumë vende afrikane nuk e kanë mbështetur agresionin, por as nuk kanë vendosur sanksione. Megjithatë, ato po tregohen të kujdesshme dhe të përmbajtura, për të mos dhënë idenë se po anojnë nga ana e Rusisë apo se janë duke bërë pakt me të, çka do të irritonte Perëndimin, duke ndikuar jo mirë në marrëdhëniet me të. Veç kësaj, liderët afrikanë po tregohen të matur, sepse në fakt në shumë vende afrikane ka skepticizëm dhe rezerva ndaj Rusisë. Madje, me disa veprime ata duan të krijojnë idenë se janë të vetëdijshëm për rolin e tyre, se nuk janë besnikë të Moskës por dhe as nuk zbatojnë mekanikisht çdo porosi të Perëndimit.
Por, vendet afrikane kanë shumë nevojë dhe janë tejet të varura nga Rusia, sidomos për grurë, misër, naftë dhe produkte nafte, kimike, makienri, etj nga Rusia. Kështu, 50 për qind e eksporteve ruse në vendet afrikane përbëhen nga makineri, produkte dhe pajisje kimike, drithëra dhe ushqime. Gjatë dy viteve të fundit, eksportet e naftës brut dhe gazit natyror rus në Afrikë janë rritur 2,6 herë. Ndërkohë, vendet afrikane importojnë çdo vit 282 milion ton grurë; megjithatë, atje mungojnë çdo vit 30 milion tonë grurë.
Në Samitin e Shën Petersburgut, Presidenti Putin bëri disa premtime për të ndihmuar vendet afrikane dhe për forcimin e partneritetit me ta. Kështu, ai premtoi livrimin falas të 25 – 50.000 ton grurë për 6 vendet më të varfëra afrikane – Burkina Faso, Zimbabve, Mali, Somalia, Eritrea dhe Republika e Afrikës Qendrore. Po ashtu ai premtoi se do të ndihmojë këto vende, duke zëvendësuar sasitë e eksportit ukrainës të drithrave. Në fushën e energjitikës, Rusia premtoi vazhdimin e 30 projekteve në 16 vende afrikane. Gjithashtu, për të lehtësuar eksportet ruse në Afrikë do të ndërtohet një zonë industriale në Kanalin e Suezit në Egjipt dhe do të përfundojë Korridori Ndërkombëtar i Transportit Veri – Jug. Në fushën e arsimit, Rusia premtoi të shtojë bursa të tjera krahas 35.000 studentëve afrikanë që ndodhen në Rusi. Po ashtu, universitetet ruse do të çelin degët e tyre në disa vende afrikane. Ndërkohë, ka disa projekte për shtimin e pranisë së medias ruse në Afrikë. Për këtë qëllim do të hapen studio televizive të “Rusia Sot“, zyra të Agjencisë së Lajmeve “TASS“, etj.
Gjithsesi, ndikimi rus në Afrikë është më i vogël se sa pretendon Moska zyrtare, sidomos lidhur me bilancin e mangët ekonomik dhe tregtar. Sipas të dhënave të OKB-së, Rusia renditet si investitorja e 18-të më e madhe në Afrikë, duke mbetur shumë prapa Kinës, SHBA-ve dhe Gjermanisë.
Megjithatë, dhe brenda këtij bilanci të brishtë ekonomik, vërehet një shpërndarje jo proporcionale; 70 për qind e vëllimit tregtar rus kryhet me 4 vende: Algjeria, Egjipti, Maroku dhe Afrika e Jugut. Në Samitin e Sotchit më 2019, u parashikua një vëllimi tregtar prej 40 Miliard Dollarë; por, mbas 4 vitesh ai është tri herë më i vogël ose 13 Miliard Dollarë amerikanë!
Gjithsesi, nuk është vështirë të shihet se në vend të partnerietit të pretenduar me Afrikën, Rusia synon të ketë sa më shumë vende vasale dhe në Afrikë, në shërbim të multipluralitetit të rendit botëror, por vetëm sipas ” oreksit” rus.
4. Euro-Atlantistja Meloni! Po, vërtet, ajo që fitoi bindshëm si lidere e ekstremit të djathtë, si mbështetëse e Kinës dhe Rusisë; por, brenda një periudhe të shkurtër është kthyer në një Euro-Atlantiste të shquar. Këtë e ka treguar me vizitat e saj të para në Bruksel, Paris, Berlin dhe tani së fundi në Uashington. Të gjitha këto as një vit nga zgjedhja e saj si kryeministre e një vendi me peshë, ndër 7 shtetet më të zhvilluara të botës demokratike. Lajm i mirë, sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe ”yryshit” të forcave ekstremiste në disa vende të Europës Perendimore. Me të drejtë, siç tha Presidenti Biden në takimin me të, nuk duhen parë çfarë thotë, po çfarë bën Meloni. Urojmë të vazhdojë kështu dhe kryesorja të mos zhgënjejë zgjedhësit e saj që të ”mos i tregojnë derën” në zgjedhjet e ardhëshme, siç ka ndodhur me liderë të tjerë italianë që kanë rezultuar jetëshkurtër në politikë.
© 2023 Argumentum