Realpolitik “ flash” Nr. 35
18 – 30 QERSHOR 2021
EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 4 ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur Dr. Jorgji KOTE
- Për vjeshtë na la Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme ose Ministrat e Jashtëm të BE-së në takimin e Luksemburgut më 22 Qershor. Siç pritej, Bullgaria këmbënguli në veton e saj ndaj Shkupit, duke na “ djegur” dhe ne. Në Samitin e BE-së, më 24 Qershor në Bruksel, Presidenti bullgar ripohoi kushtet bullgare në këmbim të heqjes së vetos. Nuk vonoi dhe MPJ-ja bullgare shpalli 5 por që në fakt peshojnë sa për 500 kushte mbi identitetin, gjuhën dhe historinë. Ndërsa më 11 Korrik do të jenë zgjedhjet e dyta të parakohshme brenda 5 muajve të fundit në Bullgari, ku për Maqedoninë ka ndjeshmëri shumë të madhe publike. Shkurt hesapi, tani do pritur Tetori, kur mblidhet sërish Këshilli për ndonjë kompromis mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut; ndryshe në Samitin e radhës në Dhjetor, në mos dhe më herët, do të ketë trysni për të çelur negociatat me Shqipërinë. Sepse, “siç duken bathët”, asnjë prej fqinjëve tanë mund të mos lëvizë nga istikami; urojmë të mos ripërsëritet, ca me pak bllokimi 25 vjeçar grek ndaj Maqedonisë. Dhe që “ bashkë me barin e thatë të mos digjet dhe i njomi”! Le të presim “ provimin në vjeshtë”
- Minishengeni nuk “ ngjit” Më 28 Qershor, u zhvillua Samiti virtual i radhës i Mini- Schengenit Rama- Vuçiç dhe Zaev. Meqenëse qysh nga Samiti i saj me Ballkanin në Nëntor të vitit të kaluar në Sofje filloi të flitej për “ Tregu i Përbashkët Ballkanik” u mendua se Mini- Schengen ishte futur “në sirtar”. Ra në sy, se si në Tetor 2019, dhe tani Mini- Schengeni doli në sipërfaqe vetëm disa ditë pasi u shty çelja e negociatave me dy vendet tona. Kjo duket dhe në gjuhën kritike lidhur me “ dështimet “ e BE-së, pa asnjë fjalë të mirë për mbështetjen dhe ndihmën e madhe për rajonin! Edhe pse deri tani nuk ka përparim thelbësor, duke mbetur OJQ “tripalëshe” Dhe kur Albin Kurti kërkon “ SEFTA në vend të CEFTA. Mini- Schengen “ nuk ka ngjitur” sepse ndonëse në përmbajtjen e vet është pjesë e Procesit të Berlinit, ai njihet si nismë e Serbisë; kjo e fundit synon ta përdorë si kozmetikë politike/diplomatike dhe për të blasfemuar Kosovën si pengesë. Pikërisht tani kur SHBA dhe BE kërkojnë me insistim përfundimin e dialogut dhe njohjen e saj nga Serbia! Kur më 5 Korrrik do të jetë Samiti i rajonal në Berlin. Të kuptohemi, në parim jemi dakord me përmbajtjen e kësaj nisme; por me emërtimin e BE-së, çka i shton besueshmërinë, e bën të pranueshëm për të gjithë dhe shuan sherret “mes vedi. Në diplomaci, emri dhe nismëtari ka rëndësi shpesh vendimtare. Ja, për çështjen e emrit Maqedonia u bllokua 25 vjet rresht! Ndaj, përse të mos përdorim terminologjinë e BE-së – “Tregu i Përbashkët Ballkanik” që i bashkon të gjitha vendet; ndryshe, “ zamka “ e Mini-Schengenit nuk ngjit!
- Reeker në Tiranë! Më 30 Qershor, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Reeker ishte disa orë në Tiranë, ku takoi Ramën, Xhaçkën dhe Bashën. Ky ishte zgjatim i turit të shefit te tij, Anton Blinken në Europë, në pamundësi për të ardhur në Ballkan. Ndonëse nuk u tha asgjë publikisht, pas shpalljes “non – grata” të Berishës, logjika diplomatike ta thotë se Bashës do t’i jetë kërkuar distancimi i PD-së ndaj tij dhe hyrjes në Kuvend në shtator; ndërsa Ramës në mandatin e tretë vazhdimi i ofensivës kundër korrupsionit, reforma e drejtësisë dhe dialogu me opozitën; më tej hapat për çeljen e negociatave me BE-në dhe dialogu Prishtinë – Beograd. Mesazhi i Reeker në Tiranë dhe në Shkup është se pavarësisht sfidave të tjera të mëdha, SHBA bashkë me BE-në mbeten të përkushtuar në Ballkan; veçse ky i fundit duhet të gjejë vetë zgjidhje vetë nga brenda, pa pritur ndonjë magji, qoftë dhe nga SHBA/BE.
- Sa “për të hedhur lumin” ishte Samiti i BE-së më 24/25 Qershor në Bruksel. Ndonëse samit vijues i atyre të muajit Mars dhe Maj lidhur me tematikat aktuale përvëluese, veç deklarimeve ” as mish as peshk” të stilit europian nuk shënoi ndonjë gjë të veçantë, veç sherrit mes perendimorëve dhe ish lindorëve. Sidomos për 4 pikat e tij më të nxehta, me përplasje të ashpra por në fund me tërheqje nga të gjitha palët. Më konkretisht:
Me Rusinë, u refuzua propozimi i Merkel dhe Macron për Samitin me Putinin, që krahas masave dhe sanksioneve, të vijojë dialogu me të, siç bëri dhe Bideni.
Ndryshe nga vendet perendimore, vendet ish lindore ishin kategorikisht kundër. Ato kërkojnë që Rusia të tregojë shenja përparimi për të parë më vonë mundësinë e samitit. Shumë ekspertë, vendas dhe të huaj, të cilëve u bashkohet dhe autori, janë në favor të Samitit me Putinin, si alternativa më shpresëdhënëse. Shtyrja e tij me kërkesën që Rusia të « paguajë çmimin për paudhësitë e saj « është vetëm « dëshirë e mirë » dhe asgjë më shumë.
Si kompromis, u pranua që dialogu me Rusinë të vijojë në nivele ekspertësh.
Për Hungarinë, pati kritika akoma më të ashpra ndaj Orbanit lidhur me ligjin më të fundit të miratuar atje për LGBTQ-së. Deri në propozime për përjashtimin e Hungarisë nga BE-ja!
Më kategorikë në këtë drejtim ishin ishin kryeministrat e Holandës, Luksemburgut, Belgjikës, Portugalisë dhe të gjithë liderët e vendeve perendimore. Asnjëherë nuk ka patur në këto samite debate të tilla të forta që i kapërcyen kufijtë e diplomacisë.
Dhe këtu ra në sy ndarja Lindje – Perëndim. Të gjitha vendet perendimore e denoncuan Hungarinë, ndërsa nga ato lindoret, vetëm Estonia dhe Letonia. Në përfundim, u hodh poshtë përjashtimi i Hungarisë si masë ekstreme dhe u porosit Komisioni Europian ta ndjekë më tej gjendjen dhe të raportojë në samitin e ardhshëm.
Lidhur me Turqinë, u vendos zgjatja e Marrëveshjes BE – Turqi e vitit 2016 lidhur me emigrantët. Kundrejt 3,5 miliard Euro që BE i paguan çdo vit Turqisë. Kjo e kompromenton pozicionin e BE-së kundrejt Turqisë, mbasi tregon paaftësinë e saj për të arritur një marëveshje « mes vedi » për migrimin edhe pas 5 viteve. Kështu që nuk ka rrugë tjetër, veç Turqisë, e cila natyrisht kërkon kompensimin e saj « në cash » dhe « në natyrë »dmth që BE-ja « të bëjë një sy qorr dhe në vesh shurdh « ndaj hapave dhe veprimeve jodemokratike turke.
© Argumentum