Në Maqedoninë e Veriut, në vazhdën e përçarjeve brenda Aleancës për Shqiptarët (ASH), Kongresi i sotëm i jashtëzakonshëm, i thirrur nga krahu i zotit Ziadin Sela shkarkoi zotin Arben Taravari nga funksioni i kryetarit të partisë dhe e zgjodhi zotin Sela për kryetar të ri të saj.
Ky Kongres pason vendimin e Kongresit të organizuar vetëm para dy ditësh nga krahu i zotit Taravari, ku u mor vendimi për heqjen e organit të Kuvendit Qendor të Aleancës për Shqiptarët, në krye të të cilit ishte zoti Ziadin Sela. Megjithatë, Kongresi i fraksionit të Selës ishte thirrur një javë më herët, për dallim nga ai i Taravarit që ishte thirrur një ditë para se të mbahej, të premten (16 shkurt).
Sipas njoftimeve nga krahu i Ziadin Selës në Kongresin e së dielës morën pjesë 591 delegatë nga 837 sa numëron partia dhe se vendimet janë të plotëfuqishme.
Zoti Sela u tha gazetarëve se “kryetar i ligjshëm i partisë është ai i cili është aty ku jepet llogari dhe të mos ikë nga përgjegjësitë”.
“Kuvendi Qendror është organi ku merren vendimet dhe që vendosi për mbajtjen e Kongresit të jashtëzakonshëm. Prandaj jemi këtu për të respektuar atë që shkruan në Statutin e partisë dhe Kongresi vendosi sot me 591 vota ta shkarkojë zotin Taravari nga posti i kryetarit të partisë”, tha zoti Sela. Ai shtoi se do ta udhëheqë partinë me ndershmëri, transparencë dhe dinjitet.
Zoti Taravari, nga ana tjetër ka thënë para disa ditësh se nuk do të komentonte lidhur me zhvillimet e fundit parti, por se mosmarrëveshjet do të zgidhen në gjykatë.
Përçarjet në ASH u thelluan pasi Arben Taravari në rolin e kryetarit të partisë vendosi t’i bashkohet opozitës shqiptare për në zgjedhjet e pritshme presidenciale dhe parlamentare, ndërsa mbështetësit e zotit Sela planifikonin që partia të dalë e vetme në këto zgjedhje.
Krahu i zotit Sela vazhdon të qëndrojë në koalicionin qeverisës; ka mbështetjen e të paktën gjashtë nga tetë ligjvënësit e partisë dhe që të tre ministrat janë po ashtu të këtij krahu.
Të dy krahët i quajnë jolegjitime vendimet e palëve respektive, ndërkohë që sipas të gjitha gjasave, gjykatat do të duhet të vendosin se kush do ta drejtojë Aleancën për Shqiptarët.
ASH-ja u formua në vitin 2015 nga një pjesë e politikanëve dhe aktivistëve të prirë nga zoti Sela, të pakënaqur nga politikat e Partisë Demokratike Shqiptare të zotit Menduh Thaçi. Fraksioni më pas u kthye në parti politike e quajtur Lëvizja Demokratike në PDSH për t’u riemëruar më vonë si Aleanca për Shqiptarët.
Zoti Sela qëndroi në krye të kësaj partie deri kur pësoi humbje në zgjedhjet e fundit lokale (tetor, 2021), për çka dha dorëheqjen dhe drejtimin e partisë ia la zotit Arben Taravari, i cili në ato zgjedhje fitoi garën për kreun e komunës së Gostivarit.