Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mirëpritën marrëveshjen e së shtunës në mbrëma, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Zëdhënësja e Këshillit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson tha se e “mirëpresim marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe inkurajojmë të dyja palët të nisin sa më parë zbatimin e detyrimeve të tyre”.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeff Hovenier, duke e shpërndarë një postim të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e cilësoi marrëveshjen të rëndësishme. Ai shkroi në rrjetet sociale se “Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e detyrimeve në përputhje me përpjekjet afatgjata për të çuar përpara sigurinë, qëndrueshmërinë dhe përparimin e popullin e Kosovës dhe të rajonit”.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, shkroi se arritja më e rëndësishme e negociatave të 18 marsit në Ohër është se Serbia e ka përqafuar të ardhmen evropiane…një vendim që kërkoi mençuri, integritet dhe kurajë. Ka ende shumë punë për të bërë, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju në çdo hap”, shkroi ai.
Kosova dhe Serbia u pajtuan mbrëmë pas më shumë 12 orë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Nuk pati një nënshkrim dokumenti nga palët, por, siç tha shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell ata janë zotuar të respektojnë të gjitha pikat e planit evropian për të cilin janë pajtuar që më 27 shkurt në Bruksel.
“Kosova është pajtuar të nisë menjëherë, dhe kur them menjëherë, e kam fjalën menjëherë, negociatat e lehtësuara nga Bashkimi Evropian për një marrëveshjeje specifike dhe garanci për të siguruar një shkallë të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Palët ranë dakord gjithashtu të miratojnë si çështje urgjente deklaratën për personat e zhdukur siç është negociuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha zoti Borrell.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha mbrëmë se marrëveshja e arritur në Ohër është “njohje de facto”, ndërsa kritikoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se po i shmanget nënshkrimit të saj.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të dielën në një konferencë me gazetarë në Beograd se Serbia është e gatshme të punojë për zbatimin e marrëveshjes, por deri te vijat e kuqe të saj. Ai tha se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova jo.
“Nuk dua të bëj marrëveshje juridike ndërkombëtare me Republikën e Kosovës, si president edhe deklaratat e mia janë të detyrueshme dhe për këtë arsye i zgjedh fjalët me kujdes të cilat kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës dhe pranimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuar, këtë e them edhe sot, që askush të mos mendojë për vendosjen e një detyrimi ligjor ndaj Serbisë”, tha presidenti Vuçiç.
Mosnënshtrimi i dokumentit ka nxitur mëdyshje nëse marrëveshja mund të trajtohet si ligjërisht e detyrueshme. Zoti Borrell tha se të dyja dokumentet konsiderohen të miratuara përmes deklaratës së tij. Marrëveshja tha ai, do të jetë pjesë e procesit të integrimeve të të dyja palëve në Bashkimin Evropian.
“Dhe për ta bërë shumë konkrete, do të nis punën menjëherë për të përfshirë zyrtarisht amendamentet përkatëse në Kapitullin 35 të kuadrit të negociatave të Serbisë me BE-në dhe në agjendën e Grupit të Posaçëm të Kosovës për Normalizim. Në këtë mënyrë, të dyja palët do të jenë të detyruara nga Marrëveshja e cila do të jetë pjesë e rrugës së tyre drejt Bashkimit Evropian. Dhe ne në Bashkimin Evropian, do t’u kërkojmë me forcë palëve të përmbushin detyrimet e tyre. Mospërmbushja e tyre do të sjellë pasoja”, tha zoti Borrell.
Udhërrëfyesi për zbatimin e planit evropian parasheh që të dyja vendet të angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe Aneksin e saj.
Palët janë pajtuar që të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente dhe zbatimin e nenit 7 të planit ku parashihet që Kosova të nisë menjëherë negociatat për të siguruar një shkallë të duhur të vetmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme.
Kryeministri Kurti tha mbrëmë duke folur rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, se pika e shtatë e planit nuk ka të bëjë me vetëqeverisje, por me “vetmenaxhim”,
Presidenti serb Vuçiç tha se për Serbinë është e rëndësishme se Asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së arritur në bisedimet e ndërmjetësuars nga Bashkimi Evropian.
Marrëveshja u kritikua ndërkaq nga dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e quajti mashtrim dhe humbje të një mundësie historike. Ai shkroi në rrjetet sociale se përveç kësaj, “një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin, është e pariparueshme”, shkroi ai.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se me marrëveshjen mbrëmshme Kosova do ta trashëgojë për vite me radhë konfliktin e ngrirë me Serbinë. “Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë”, shkroi ai.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme pas agresionit rus në Ukrainë dhe shqetësimeve se Rusia mund të përpiqet të nxisë destabilitet në Ballkan duke shfrytëzuar ndikimin e saj historik në Serbi./VOA