Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, njoftuan autoritetet në Kiev. Presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi se ka nisur, siç tha, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, shpalli gjendje lufte në vend.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
Jens Stoltenberg-NATO
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dënoi sot me forcë sulmin gjakftohtë të Rusisë ndaj Ukrainës pas urdhërave të dhëna nga Presidenti rus Vladimir Putin.
Ai dënoi me forcë ofensivën ndaj Ukrainës dhe e quajti atë një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar.
“Megjithë morinë e gënjeshtrave, mohimeve dhe dizinformimit, synimet e Kremlinit janë bërë të qarta për të gjithë botën. Udhëheqësit e Rusisë mbajnë përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre të papërgjegjshme dhe jetët e humbura. Vendet e NATO-s dënojnë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës me termat më të forta të mundshme. Është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar. Një akt agresioni ndaj një vendi sovran, të pavarur dhe paqësor, dhe një kërcënim serioz ndaj sigurisë euro-atlantike”, tha zoti Stoltenberg.
Ish-ambasadori amerikan në NATO, Ivo Daalder, mendon se aleanca duhet t’i dërgojë Moskës një sinjal të qartë.
“Mendoj se ka ardhur koha për të shtuar në mënyrë domethënëse prezencën e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s në Evropën Lindore. Dhe për ta bërë atë të përhershme. Nuk e kemi bërë këtë deri më tani pasi u angazhuam në vitin 1997 që të mos ndërmerrej ky hap. Situata ka ndryshuar. Jemi në një botë të ndryshme. Jemi në një botë në të cilën nuk kemi qenë prej 30 vitesh dhe duhet të fillojmë të mendojmë se si të përballemi me këtë botë dhe jo bazuar tek çfarë kemi bërë gjatë viteve të fundit. Duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë në vazhdim në mënyrë që Putini të mos triumfojë”, tha zoti Daalder.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i bëri ndërkohë thirrje Rusisë të tërhiqet.
“I bëjmë thirrje Rusisë të ndalë menjëherë veprimet ushtarake, të tërheqë forcat nga Ukraina dhe të zgjedhë diplomacinë. E mbështesim plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën e saj për vetëmbrojtje. Rusia po përdor forcën në përpjekje për të rishkruar historinë dhe për t’i mohuar Ukrainës rrugëtimin e saj të lirë dhe të pavarur”, tha ai.
Duke vënë në dukje se paqja, liria dhe demokracia po sfidohen nga regjimet autoritare, zoti Stoltenberg u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të reagojnë me “vendosmëri të re dhe me unitet edhe më të fortë”.
Boris Johnson-Britania e Madhe
Kryeministri britanik Boris Johnson tha se synon ta përjashtojë Rusinë nga tregjet financiare të Britanisë, ndërsa njoftoi sanksione të reja në përgjigje të sulmit që urdhëroi Presidenti rus Vladimir Putin ndaj Ukrainës.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të të gjitha bankave kryesore ruse, përfshirë bankën e dytë më të madhe ruse VTB, tha zoti Johnson të enjten. Britania gjithashtu do t’ua ndalojë kompanive ruse dhe qeverisë ruse të ngrenë fonde në tregjet britanike.
Britania do të bllokojë eksportet drejt Rusisë të një game të gjerë produktesh të teknologjisë së lartë, dhe do të ndalojë uljen e avionëve të kompanisë ruse Aeroflot në aeroportet britanike.
Sanksionet e reja vijnë pak ditë pasi zoti Johnson u kritikua më herët këtë javë për reagimin më të kujdesshëm se ç’duhej ndaj agresionit rus.
Në një fjalim drejtuar vendit mbasditen e të martës, zoti Johnson kishte premtuar vendosjen e sanksioneve të reja për shkak të sulmit të gjerë rus ndaj Ukrainës.
Britania thotë se po i koordinon sanksionet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, por të dyja këto të fundit morën këtë javë masa më të ashpra se Britania.
Joe Biden-SHBA
Presidenti Joe Biden njoftoi të enjten një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë pas sulmit ndaj Ukrainës, duke akuzuar udhëheqësin rus Vladimir Putin se “e zgjodhi këtë luftë” dhe se vendi i tij do të mbartë pasojat e veprimeve të tij.
Sanksionet kanë në objektiv bankat ruse, oligarkët dhe sektorët e teknologjisë së lartë, tha Presidenti Biden. Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate do të bllokojnë asetet e katër bankave të mëdha ruse, do të vendosin mekanizma kontrolli ndaj eksporteve dhe do të vendosin sanksione ndaj oligarkëve.
Masat ndëshkimore i përmbahen këmbënguljes së mëparshme të Shtëpisë së Bardhë se do të synojnë të godasin sistemin financiar të Rusisë dhe të rrethit të brendshëm të zotit Putin, ndërkohë që do të vendosin edhe mekanizma kontrolli ndaj eksporteve, të cilat do të godasin industrinë dhe ushtrinë ruse duke i mohuar qasjen tek mikroqarqet gjysmëpërcjellëse të prodhuara në Amerikë dhe produktet e tjera të teknologjisë së lartë.
Presidenti Biden nuk vendosi aktualisht disa nga sanksionet e tjera më të ashpra, si p.sh. përjashtimin e Rusisë nga sistemi ndërkombëtar SWIFT, që mundëson transferimin e fondeve ndërmjet bankave në mbarë globin, apo ndaj sektorit energjitik rus.
Presidenti Biden i njoftoi sanksionet ndërsa qeveria ukrainase raportoi një rritje të numrit të viktimave ndërkohë që tanket ruse po sulmojnë nga lindja, veriu dhe jugu.
BE-ja
Zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë se udhëheqësit e bllokut 27 vendesh do të diskutojnë sanksione të reja, të ashpra ndaj Rusisë në një takim urgjent më vonë të enjten, si reagim ndaj “sulmit barbar” të saj ndaj Ukrainës.
Forcat ruse qëlluan me raketa në disa qytete në Ukrainë dhe zbarkuan trupa në territorin e saj të enjten, thanë zyrtarët dhe mediat, pasi presidenti Vladimir Putin autorizoi atë që ai e quajti një operacion i posaçëm ushtarak.
“Presidenti Putin është përgjegjës për kthimin e luftës në Evropë”, tha shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke shtuar se BE-ja do ta mbajë “përgjegjës për këtë”.
“Me këtë paketë (sanksionesh), ne do të synojmë sektorët strategjikë të ekonomisë ruse duke bllokuar qasjen e tyre në teknologjitë dhe tregjet thelbësore”, tha ajo. “Ne do të dobësojmë themelet ekonomike të Rusisë dhe kapacitetin e saj për t’u modernizuar”.
Përveç kësaj, tha ajo, “ne do të ngrijmë pasuritë ruse në BE dhe do të ndalojmë qasjen e bankave ruse në tregun financiar evropian”.
BE-ja miratoi një raund të parë sanksionesh të mërkurën, duke përfshirë në listën e zezë politikanë rusë dhe duke ndaluar tregtinë midis BE-së dhe dy rajoneve separatiste të Ukrainës lindore, pavarësinë e të cilave e njohu presidenti rus Putin.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se masat e reja që do të diskutohen në një takim në orët e mbrëmjes të udhëheqësve të bllokut, do të jenë “paketa më e ashpër e sanksioneve që kemi zbatuar ndonjëherë”.
“Kjo është ndër orët më të errëta për Evropën që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore… Udhëheqja e Rusisë do të përballet me izolim të pashembullt”, tha ai, ndërsa paralajmëroi një paketë të re ndihmash për Ukrainën./VOA-Argumentum.al