Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, njofton tatimpaguesit, të cilët kanë plotësuar në mënyrë ta pasaktë të dhënat e llogarisë bankare të individëve përfitues, në formularin Kërkesë për ndihmë financiare, Paketa 1 ose 2, se mund t’i korrigjojnë ato (emrin i bankës dhe/ose IBAN) duke ndjekur hapat e mëposhtëm:
Sipas Tatimeve, në llogarinë e deklarimit elektronik e-filing si dhe në adresën e e-mail do t’ju dërgohet një njoftim për saktësim të të dhënave të llogarive bankare të individëve përfitues.
Pasi të jeni loguar në llogarinë e deklarimit elektronik në e-filing, pozicionohuni në menunë “Kontabiliteti” dhe klikoni mbi nën menunë “Saktësimi i të dhënave bankare”.
Tatimet njoftojnë se më pas do t’ju shfaqet rubrika “Kërkesat për Ndihmë financiare”, e cila përmban: Gabim i të dhënave bankare – ku janë të listuar të gjithë individët me të dhëna të pasakta të llogarisë bankare, të cilëve iu është miratuar Kërkesa për Ndihmë Financiare dhe nga Bankat e nivelit të dytë nuk është procesuar kalimi i masës së përfitimit në llogaritë e individëve, për shkak të të dhënave të pasakta të llogarive bankare.
Të gjitha – ku janë të listuar të gjithë individët me të dhëna të sakta të llogarisë bankare.
Për secilin nga individët e listuar në në menunë “Gabim i të dhënave bankare”, ju mund të saktësoni të dhënat e llogarisë bankare (emri i bankës dhe/ose IBAN) duke klikuar në “Korrigjo”.
Sipas tatimeve, pasi të keni ruajtur ndryshimet, të dhënat e punonjësit përkatës do të zhvendosen në listën “Të gjitha”.
“Pas korrigjimit të të dhënave të llogarive bankare, nuk do të jetë i nevojshëm asnjë verifikim i mëtejshëm, por do të vijohet menjëherë me procesimin e pagesës dhe kalimin e masës së përfitimit (26.000 ose 40.000 lekë) në llogarinë e secilit individit përfitues”, njofton DPT.