DR. Jorgji KOTE
Padyshim që Samiti i Tiranës i 6 Dhjetorit « BE – Ballkani Perendimor » ishte suksesi më i ri i diplomacisë sonë; ai pason kryesimin e OSBE-së më 2020, zgjedhjen Antar i Përkohshëm i KS të OKB-së (2022 – 2023) dhe çeljen e negociatave me BE-në. Këto hapa dhe arritje meritojnë vlerësimet më të mira, ato shtojnë mundësitë për më shumë zë në arenën ndërkombëtare dhe imazhin e vendit. Natyrisht nuk u arritën » brenda natës », sepse diplomacia nuk funksionon » me metodën e aksionit » por janë produkt i demarsheve diplomatike për vite dhe dekada.
Gjithsesi, kërkohet një vlerësim më i drejtë Realpolitik për të shmangur propagandën dhe fetishizimin e këtyre arritjeve. Kështu, megjithë rëndësinë e madhe, ama jo historike, Samiti i Tiranës ishte simbolik dhe problematik, thjesht u zhvillua për herë të parë në rajonin tonë, ama më tepër nga “ halli se nga malli” ! Nuk është se prodhoi gjë në histori, nuk dha ndonjë datë apo sinjal të ri premtues, veç afrimit me BE-në, por dhe ai “ në ajër”! Në rastin e OSBE-së, pa mohuar meritën e kryesimit të saj më 2020, kjo ndodhi 29 vjet pas antarësimit tonë, kur nuk kishte mbetur vend tjetër pa e drejtuar! Po ashtu, arritje e madhe që për herë të parë jemi në forumin më të lartë të sigurisë në OKB, pavarësisht se vetëm për dy vjet. Mirëpo, realisht, dhe aty mundësitë e ndikimit tonë gjeopolitik janë të kufizuara ; jo vetëm se nuk « kemi këllqe » për më shumë, por sepse ty janë dhe 9 antarë të tjerë të përkohshëm, veç “Pesë të Mëdhenjve të Përhershëm” ! Padyshim që bashkëpenësia me SHBA për rezolutat është përvojë pozitive, por jo për t’u hiperbolizuar! Dhe duke shtuar performancën brilante të stafit tonë diplomatik në Nju Jork, sërish ky sukses, sado i spikatur, mbetet kryesisht në lëmin diplomatik, pra nuk « ta mbush lugën, nuk të ngop ! » Veç kësaj, të mos harrojmë se dhe vende të tjera më të vogla kanë arritur goxha më tepër dhe shumë më parë në këtë fushë: Luksemburgu, Malta, Finlanda, Slovenia, Slovakia, e deri te Shkupi, që do të kryesojë OSBE-në më 2023; por, në dallim nga ne ato sillen pa bujë dhe zhurmë. Veç sa sipër, jo çdo gjë shkëlqen dhe në këtë fushë, ku kemi jo pak probleme dhe telashe gjeopolitike. Kështu, mbi dy vjet më parë, kur u vendos pa transparencë publike që dosja e Detit Jon të dërgohej për gjykim në Hagë, ministrja jonë e Jashtme, e shpalli atë sukses dhe model dhe për vende të tjera! Kur në fakt, ishte dështim i madh diplomatik i palës tonë. Aq sa tani gjithçka është enigmë, madje rrezikohet që zgjidhja të jetë më e disfavorshme se Marrëveshja e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese më 2010. Kjo dosje është përfshirë në Kornizën e Negociatave me BE-në, ndaj “nuk kemi nga t’ia mbajmë”. Urojmë të mos ndodhë, siç thotë populli, që “ në vend t’i vejmë vetullat, t’i nxjerrim sytë » dhe Detit Jon. Projekt epokal u quajt nisma “Ballkan i Hapur”, që në fakt ishte karshillëk, mbivendosje dhe zëvendësim i Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal të BE-së; por që tani po shfryhet si flluskë sapuni! Nuk po hyjmë te telashet me Turqinë, zhbalancimin tonë politik midis Prishtinës dhe Beogradit, etj.
Dukuria tjetër negative në këtë fushë ëshë se qeveria i shfrytëzon abuzivisht sukseset me jashtë, duke i kthyer në « tollumbace dhe fishekzjarre»politiko-elektorale dhe « pronë » e një force të vetme politike ; të gjitha këto për të fshehur, mbuluar dhe justifikuar problemet dhe dështimet në performancën e brendshme. Duke qenë gati 10 vjet në pushtet, duke përfituar nga nevojat gjeopolitike të ditës, padyshim dhe nga « krimi « politik i opozitës që dogji mandatet parlamentare dhe bokotoi zgjedhjet vendore 2020, mazhoranca qeverisëse ia « ka ndier lezetin » sukseseve diplomatike; të cilat në rastin tonë janë më të lehta se reformat e brendshme; plus ato bëjnë jehonë, duke i ledhatuar dhe ndërkombëtarët, të etur për stabilitet, pavarësisht nga kostoja demokratike. Më tej, suksesi jashtë vendit u jep zemër qeveritarëve për të bërë spektakle me mesazhin « shihni, neve po na vlerëson bota, po na hap dyert kudo, ndërsa opozita, media, shoqëria civile na shan e kritikon në gjuhë të huaj » !
Për pasojë, politika jonë e jashtme përgjithësisht e sukseshme po shfaq një asimetri dhe kontrast të plotë me performancën tonë të brendshme me plot probleme dhe pengesa. Duke filluar nga përshkallëzimi i antagonizmit deri në armiqësi me kundërshtarin, dhunës verbale dhe fizike, siç e dëshmoi sulmi ndaj liderit të PD-së më 6 Dhjetor e deri te gjendja e trishtueshme social-ekonomike. Renditemi të parët kudo për çmimet dhe kostot e larta, sidomos për korrupsionin galopant, ku këtë vit zbritëm 27 vende më poshtë dhe të fundit për të ardhurat, nivelin e pagave, shpenzimet për arsimin, shëndetësinë, kulturën, rininë, etj. Studimi i ditëve të fundit i Komisionit Europian na rendit të fundit në Europë mbasi 69 për qind e banorëve nuk plotësojnë dot as nevojat më minimale ! Perspektiva duket e zymtë, kur sheh se të rinjtë deri në moshën 30 vjeç i kanë shanset e trajnimit dhe punësimit tri herë më të vogla se në vendet e BE-së dhe ky katalog i zymtë vijon. Duke hyrë më thellë në realitetet e brendshme, mbi 6 vjet pas lançimit të saj, reforma e drejtësisë dhe gjyqësorit, e pompuar si krenaria e proceseve tona madhore, pavarësisht nga dukuritë pozitive anësore ka ngecur në baltë; me shumë shqetësime, me mijra dosje që presin, shkurt hesapi, drejtësia vetëm sa propagandohet, por ajo nuk po shihet dhe nuk po bëhet! Ndërkohë, azili i paligjshëm, që për nga përmasat e frikshme tashmë është kthyer në shpopullim “po merr dhenë” me një rritje prej 160 për qind kundrejt vitit të kaluar, ndërsa qeveria “ka ngritur duart lart pa kushte”! BE-ja dhe sidomos Britania e Madhe janë alarmuar, sepse javët e fundit atje janë futur mbi 2 për qind e popullsisë sonë dhe dyndjet në ”La Mansh” vazhdojnë. Sipas Eurostatit, zemë vendin e parë në Europë për kërkesat për azil për frymë me koeficient 5/1000 banorë, në një kohë kur 57 për qind e popullsisë sonë jeton jashtë vendit! Dështim spektakular dixhital rezultoi dhe sofistikimi kibernetik, ndonëse janë shpenzuar mbi 200 milionë Euro për atë sistem. Sulmet e hakerave iranianë e shembën gjithë ngrehinën qeveritare, sepse nuk ka mbetur gjë pa dalë në shesh!
Veç të tjerash, këto dukuri alarmuese, të shoqëruara me afera dhe skandale tronditëse ndikojnë në ritmet e procesit të antarësimit tonë në BE. Ndonëse po këmbëngulet fort që ai të realizohet me sforco nga BE-ja në rrafshin gjeopolitik, me sa duket po harrohet se « namin të bëjë » Brukseli, Parisi, Berlini dhe të tjerë, faktori vendimtar jemi NE, ama jo me fjalë dhe përbetime, por me reforma në përputhje të plotë me legjislacionin e BE-së. Mirëpo projekt-ligje të tilla si ai i amnistisë fiskale, pasaportave të arta, legalizimi i kanabisit, etj bien në kundërshtim të hapur me parimet dhe ligjet e saj. Në fakt, dikasteret tona dhe sidomos stafi i përkushtuar i Kuvendit ka bërë një punë të lavdërueshme në këtë fushë, të vlerësuar dhe nga vetë BE-ja. E megjithatë, këto punë dhe arritje i zhvleftëson si pa të keq politika qeveritare, me qasjet dhe hapat kundrapedal. Bashkë me shqetësimet e tjera të shprehura në Progres Raportin e Komisionit Europian dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, përfshirë sulmet ndaj medias kritike, këto pritet të ngadalësojnë dhe dinamikën e negociatave të mirëfillta të antarësimit, të cilat duhet të fillojnë më 2024, pas përfundimit të procesit të skanimit. Ndërkohë, shkatërrimi i « Prestige Resort » pa transparencë publike, pa vendim gjykate, pa procedura paraprake dhe me ngut të pakuptueshëm janë shembulli më i freskët se shteti i të drejtës tani po hidhet në erë dhe me tritol qeveritar! Për pasojë, tashmë nuk bëhet më fjalë për ” good governance” dmth “qeverisje të mirë” dhe as ”mosqeverisje”por për papërgjegjshmëri dhe ç’qeverisje! Së fundi, këto dhe të tjera deficite e shqetësime serioze mund t’i lehtësojë, por nuk mund t’i zgjidhë vetëm apo kryesisht gjeopolitika, madje as SHBA-të dhe BE-ja ! Vendimtare mbeten politika, aktorët dhe faktorët tanë të brendshëm. Nga ana tjetër, kjo performancë e brendshme, jo më thjesht problematike por tashmë dramatike do të cënonte seriozisht imazhin dhe besueshmërinë e gjeopolitikës sonë, e cila mund të na kthehet në bumerang politik. Ja përse ish Kryeministri emblematik britanik William A. Gladstone sugjeronte që » parimi i parë i politikës së jashtme është qeverisja e brendshme »
© 2022 Argumentum