Është zhvilluar sot mbledhja e Këshillit Politik të reformës zgjedhore e cila filloi prej orës 17:00.
Në tryezën e sotme u diskutua për formulën e re të propozuar paraditen e sotme nga opozita lidhur me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku mësohet se në përfundim të mbledhjes palët kanë rënë parimisht dakord edhe pse ka ende gjëra teknike për t’u diskutuar.
Mësohet se palët politike mund ta lënë procesin e zgjedhjes siç ka qene tek drafti ekspertëve, por do mendojnë një dispozite kalimtare për ti dhënë zgjidhje situatës aktuale meqë PD dhe LSI nuk janë në parlament.
Ishte pikërisht KQZ që çoi në “ngërç” diskutimet për zgjedhoren prej tre ditësh pasi palët nuk binin dakord për mënyrën sesi do të zgjidheshin anëtarët e të tre organeve të këtij institucioni.
Formula e propozuar sot kërkon që procedurën për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së ta inicioi Kuvendi (jo më nga Avokati i Popullit si në variantin e parë), por komisioni përzgjedhës të mos jetë i përbërë nga deputetë, por nga juristë që i propozojnë palët politike, PS, PD dhe LSI, pra KQZ të mbetet sërish politike.
Përfaqësues i Partisë Demokratike, tha se mazhoranca nuk ra dakord për propozimin e opozitës në lidhje me përzgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së.
“Diskutuam propozimin e dytë të opozitës së bashkuar në lidhje me KQZ-në. Ju e dini që ne kishim bërë një propozim tjetër. Por, me qëllim që marrëveshja të zbatohet, duke siguruar të gjitha garancitë të procesit të emërimit të anëtarëve të KQZ-së, që të jenë profesionistë dhe nga ana tjetër që të gëzojnë respekt te spektrit politik si dhe të sigurojnë që KQZ-ja, në nxjerrjen e akteve nënligjore dhe në vendimmarrje, nuk do kemi mazhorancë që do shkatërrojë zgjedhjet”, tha Bylykbashi.
Damian Gjiknuri, pas mbledhjes së sotme të Këshillit Politik, tha se mazhoranca nuk e pranon formulën e re të opozitës për përzgjedhjen e përfaqësuesve të KQZ.
“PD-ja po vjen te skema brenda Kuvendit dhe kjo është pozitive, por propozimet e saj janë për një komision përfaqësuesish politikë partie. Deputetët e Kuvendit duhet të jenë të përfaqësuar në këtë panel përzgjedhës. Skema e KQZ-së e përzgjedhësve më parë nuk ka funksionuar keq. Dua ta deklaroj publikisht që mazhoranca, ekspertët apo përfaqësuesit që do të konkurrojnë për anëtarë të KQZ, këta përfaqësues të denjë, do të kenë mbështetjen e mazhorancës nëse kanë dhe mbështetjen e opozitës”, tha Gjiknuri.
h.e/Argumentum