Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian, Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung” dhe “Western Balkans Consulting”, organizoi raundin e tetë të Shkollës së Integrimit Europian nga datat 6-10 nëntor 2023, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit dhe Shtëpisë së Europës (Europe House).
Këtë vit u përzgjodhën 38 pjesëmarrës nga 106 aplikantë. Për herë të parë këtij eventi i janë bashkuar on-line edhe 11 ekspertë shqipfolës nga vendet e rajonit, të cilët janë student të Shkollës së Diplomacisë Bruksel.
Për të tetin vit radhazi, Shkolla e Integrimit Europian synoi të identifikojë dhe angazhojë aktorë të spikatur nga të gjitha institucionet qendrore dhe ato të pushtetit lokalë, organizatat e shoqërisë civile, media, minoritetet dhe grupet e interesit, duke krijuar një grup të konsoliduar ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e integrimit europian, të cilët mund të kontribuojnë në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Shkolla e Integrimit Europian 2023, ofroi një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi zhvillimet më të fundit në BE, skenarët e mundshëm për të ardhmen e tij, sfidat dhe strategjitë e negociatave, rolin e shoqërisë civile dhe medias në proces, ecuria e procesit të intregrimit të vendit, si dhe të ardhmen e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë.
Lektorë nga Komisioni Europian, Universiteti i Selanikut, ekspertë ndërkombëtar nga Brukseli, Gjermania dhe vendet e rajonit si Serbia dhe Mali i Zi, si dhe ekspertë kombëtarë nga institucione, përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile, ndanë eksperiencën e tyre profesionale në çështjet e integrimit.
Në ceremoninë përmbyllëse të Shkollës ishin të pranishëm Jorida Tabaku, Kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Ambasadori Luigi Soreca, I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së dhe znj. Stine Klapper, Drejtoreshë Ekzekutive e “Friedrich Ebert Stiftung Tirana”, të cilët përgëzuan pjesëmarrësit dhe i inkurajuan që të jenë sa më aktivë në kontributin e tyre në rrugëtimin e vendit drejt BE-së.
/Argumentum.al