Pas tre ditë bisedimesh, udhëheqësit e G-7-ës mbyllën këtë të dielë samitin e mbajtur në Cornwall të Britanisë. Në një deklaratë të përbashkët pas samitit, udhëheqësit G-7-ës premtuan më shumë se 1 miliard doza vaksinash kundër koronavirus, për vendet me të ardhura të mesme dhe të ulta.
Udhëheqësit ranë dakord për të luftuar ndryshimet klimatike si dhe për të vendosur taksa prej 15% për kompanitë e mëdha shumëkombëshe, të cilat shpesh sigurojnë përfitime nga vende ku paguajnë pak, ose aspak taksa. Sipas deklaratës përfundimtare, udhëheqësit e G-7-ës i bëjnë thirrje Kinës që të respektojë të drejtat e njeriut në Hong Kong dhe në Xinjiang, ku jeton pakica ujgure.
Në një konferencë për mediat, presidenti amerikan Joe Biden vlerësoi se samiti ishte “jashtëzakonisht produktiv”. Zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të zënë përsëri vendin e tyre udhëheqës në skenën botërore.
“Unë mendoj se kemi bërë përparim në rivendosjen e besueshmërisë mes Amerikës dhe miqve tanë më të ngushtë”, tha Presidenti Biden. Sa i përket dhurimit të vaksinave, zoti Biden tha se të ndihmosh botën për të luftuar pandeminë COVID-19 është një “projekt i vazhdueshëm për një kohë të gjatë”.
Kryeministri britanik Boris Johnson, mikëpritësi i samitit, njoftoi se udhëheqësit e G-7 kishin premtuar mbi 1 miliardë doza vaksinash për vendet më të varfra. Amerika do të dhurojë rreth 500 milionë doza.