Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, do të mbyllet të enjten më 30 shtator, përkundër debateve e paralajmërimeve nga Enti i Statistikës, se do të kërkojë shtyrjen e këtij procesi për disa ditë, për shkak të sulmeve të hakerëve, të cilat për disa ditë kishin penguar regjistrimin në terren.
Nga Enti i Statistikës kanë bërë të ditur se regjistrimi do të mbyllet deri në fund të ditës, ndërsa këtë e konfirmon edhe ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.
“Unë vetëm mund të përgëzoj Entin Shtetëror të Statistikës dhe të gjitha institucionet tjera, që ishin të përfshira apo që ndihmuan regjistrimin. Ishte një operacion i rëndë dhe i ndërlikuar. Së pari pasi ndodh për herë të parë pas 20 vjetësh dhe së dyti, pasi për herë të parë realizohet me një metodologji të re të Eurostatit, por edhe me teknologji të re, pra në mënyrë elektronike, por edhe për shkak të debateve të shumta politike dhe problemeve të shumta, teknike, sulmeve të hakerëve, por për fat të mirë të gjitha këto i tejkaluam me sukses. Pres që deri në fund të ditës të marr njoftimin e Entit të Statistikës, se regjistrimi i popullsisë ka përfunduar me sukses”, ka deklaruar ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.
Ai tha se rezultatet e regjistrimit do të publikohet diku nga muaji mars, ndërsa procesin e vlerësoi të mirë, pasi siç tha, popullata nuk iu përgjigj thirrjeve për bojkot të regjistrimit.
“Vetëm një parti politike në mënyrë aktive ka punuar kundër regjistrimit. Ajo është ‘E Majta’, por për fat të mirë nuk kishte efekt. Disa anëtarë të saj tentuan të pengojnë procesin, por pa sukses. Vetë fakti se deri të mërkurën u regjistruan rreth 1.9 milion banorë, dëshmon qartë se popullata nuk iu përgjigj thirrjes për bojkot”, ka deklaruar ministri i Drejtësisë.
Ai tha se rezultatet e para do të shpallen gjashtë muaj pas shpalljes së përfunduar të regjistrimit, apo diku nga muaji maj dhe se për momentin nuk mund të dihet as përbërja etnike e popullatës, e as të dhëna të tjera lidhur me këtë operacion.
Personat që nuk kanë arritur të regjistrohen për arsye të ndryshme, javën e fundit kishin mundësinë që këtë ta bëjmë pranë disa pikave të veçanta në komunat ku jetojnë.
Ndryshe, paralelisht me regjistrimin brenda vendit. është realizuar edhe regjistrimi i diasporës dhe bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës, janë regjistruar rreth 200 mijë persona. Ata do të përfshihen në grupin e qytetarëve jorezidentë dhe së bashku me ata rezidentë, do të përbëjnë numrin e përgjithshëm të popullatës së regjistruar.
Regjistrimin e fundit, Maqedonia e Veriut e ka bërë në vitin 2002 dhe bazuar në të dhënat zyrtare, vendi numëron afër 2 milionë banorë, prej tyre rreth 25 për qind shqiptarë.