Nga Bedri RAMIZI
Sot u zgjova me një ndjenjë krenarie për t`iu bashkuar atyre, që më tepër se jetën, çmonin lirinë e atdheut. Është 5 Maji këtë mëngjës! Si vegimet e një vezullimi mu shfaqen para syve një e nga një, valë- valë imazhet e atyre që e bënë këtë ditë një ditë të bekuar për ne.
Kjo është dita kur nuk mund t`i përmbajmë emocionet drithëruese, mallin që djeg, ndjenjat e krenarisë së pashtershme. Sot dëshmorët tanë të lirisë derdhin tërë shkëlqimin e tyre mbi kujtesën tonë, përqafimin e munguar, lamtumirën e parakohëshme. Ndaj nxitova, si shumë të tjerë, në ritualin tim të përvitshëm, për të zgjedhur një tufë më lule gjithfarë lloji, për t`i vendosur pranë piedestalit “Nënë Shqipëri”, aty ku ata na presin, ashtu së bashku, në ditën e tyre.
Është kjo një ditë e madhe për mua, për ty, për të gjithë ne që besojmë tek idealet dhe sakrificat njerëzore. Është kjo një ditë që na bashkon, na sjellë në kujtesë hovet rinore të asaj kohe të magjishme të luftës dhe të ngadhënjimit të jetës e të lirisë mbi të keqen. Sot është dita të përulemi para tyre për atë që ata bënë për lirinë tonë.
Për një çast më ngjau sikur i takova të gjithë! Mu duk sikur u çmalla me Qemal Stafën e Vojo Kushin, Margarita Tutulanin e Bule Naipin, Ramiz Aranitasin e Mustafa Matohitin, me Zaho Kokën dhe Mujo Ulqinakun. Por është e pamundur! Ata janë me mijëra! Veçse ata kanë një emër të përbashkët me ne, kanë një simbol që shndrit ngaherë, kanë një ëndërr që ata e shkruajtën me gjak, kanë Atdheun tonë të përbashkët.
Zor se mund të gjesh një kohë kaq të madhë për shqipëtarët kur nën frymëzimin e idealeve më të shënjta u bashkuan si kurrë më parë në luftën për liri mijëra të rinj idealistë, çdo brez e besim, çdo shtresë a përkatësi, për ta vënë jetën e tyre në shërbim të një qëllimi të vetëm; çlirimin e Atdheut, fitoren mbi fashizmin dhe rreshtimin e Shqipërisë në anën e fitimtarëve.
Ndaj sot, në këtë 5 Maji, pesha e veprës së tyre praron memorien tonë për atë kohë, ideali i tyre na pushton zemrat për të bërë më të mirën për vendin dhe fëmijët tanë. Sot përulja jonë para tyre na bën më të palëkundur e të vendosur, na bën të besojmë se, para sfidave të mëdha të kohës, së bashku do t`ia dalim, sot e ngaherë !
Tiranë, 5 Maj 2020
/argumentum.al/
© Argumentum