Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar sonte në natën përkujtimore dedikuar jetës dhe veprës së Arbën Xhaferit, mendimtarit dhe politikanit të spikatur shqiptar, – organizuar nga të rinjtë e fondacionit që mban emrin e tij, me të ftuar përfaqësues të jetës politike nga të gjithë trojet shqiptare.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Arbën Xhaferi, ish politikani dhe mendimtar shqiptar i Maqedonisë së Veriut, e ktheu patriotizmin në një mision për vetëdijen kombëtare. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë ku u përkujtua vepra e Xhaferit, Rama u shpreh se ëndrra e Xhaferit, ishte integrimi i popullit shqiptar, në sistemin e vlerave perëndimore.
Duke mos dashur që të mungoj në këtë mbrëmje dhe duke mos dashur që të negocioj me çunat e fondacionit mosdaljen time, që mund të interpretohet në të gjitha intepretimet, por jo për mos arsyen e vërtetë të mos ndjerit i përgatitur vërtetë. Desha të ndaj disa fjalë të Arbën Xhaferrit, dhe që sot e gjithë ditën sipas meje janë një pasqyrë që në rastin më të mirë nuk do ti bënte të ndiheshin vëretetë mirë shumë prej atyre që e kalojnë jetën e përditshme në foltore dhe në ekrane. Arbën Xhaferri pyetet se cila është ëndrra e tij më e madhe dhe ai përgjigjet ‘integrimi i popullit shqiptar në sistemin e lerave perëndimore, politike, etike, kulturore’ dhe vazhdon, një fjali të thjeshtë përbërë me fjalë që tashmë janë të banalizuara, por që kanë një domethënie shumë të thellë dhe shumë vështirë për tu kuptuar në tërësi. Besoj që sot e gjithë ditën kjo është frikshëm e vërtetë sepse nuk besoj të këtë ndonjë vend tjetër, as në lindje as në perëndim, ku të përfliten më shumë vlerat perëndimore, ku të predikohen më shumë vlerat e perëndimit si vlera politike etike e kulturore dhe nuk besoj se ndonjë vend tjetër që e ka përshkruar më parë rrugën e bashkimit me familjen evropiane pas daljes nga periudha e gjatë e regjimit të totalitarizmave sovjetike, ta ketë përdorur më shumë fjalën integrim. Nuk besoj po ashtu që më pak se sa këtu në këtë vend, të gjitha këto fjalë të përdorura njësoj si paratë gjatë një krize të madhe inflacioni, ku vetëm printohen-printohen, të kenë qenë më larg nga bartësit dhe përdoruesit e tyre në tërësi.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama
Më vjen mirë që jam këtu sot dhe që dëshira e djemve e vajzave të fondacioni “Arbën Xhaferi” u bë realitet. E kishim me shumë dëshirë të organizonin këtë aktivitet, i cili në dijeninë time fillon sot me këtë mbrëmje përkujtimore dhe pastaj vazhdon me disa stacione të tjera.
Por me thënë të drejtën nuk është gjëja më e mirë që mund të të ndodhi të paktën sipas meje që të të jepet fjala për të folur për Arbën Xhaferin, kur nuk e ke të mundur që për arsye kohe, arsye obligimesh të fokusohesh aq sa duhet, në mënyrë që të thuash diçka që do të bënte të ndjeheshe gjithsesi okej, nëse Arbëni do të ishte duke të dëgjuar. Se në këtë rast rreziku është që përkujtohen njerëz të përmasave të jashtëzakonshme dhe thuren fjalime me lëvdata të zakonshme, të cilat me siguri personi që përkujtohet do ta vinin në rastin më të mirë në siklet dhe në rastin më të keq në detyrimin për të qeshur ose nënqeshur.
Gjithsesi, unë duke mos dashur që të mungoj në këtë mbrëmje dhe duke mos dashur të negocioj me çunat e fondacionit, mosdaljen time që pastaj mund të interpretohej në të gjitha mënyrat, po jo për arsyen e vërtetë, të të ndjerit i përgatitur sa duhet, desha të ndaj me ju disa fjalë që janë të Arbën Xhaferit, jo të miat dhe që sot e gjithë ditën sipas meje janë një pasqyrë që në rastin më të mire, nuk do t’i bënte të ndjeheshin vërtet mirë shumë prej atyre që kalojnë jetën e përditshme në foltore dhe në ekrane.
Arbën Xhaferi pyetet se cila është ëndrra e tij më e madhe dhe ai përgjigjet – “Integrimi i popullit shqiptar në sistemin e vlerave perëndimore politike, etike, kulturore” dhe vazhdon një fjali e thjeshtë, e përbërë me fjalë që tashmë janë të banalizuara, po që kanë një domethënie shumë të thellë dhe shumë vështirë t’u kuptuar në tërësi.
Dhe unë besoj sot e gjithë ditën kjo është frikshëm e vërtetë, sepse nuk besoj të ketë ndonjë vend tjetër as në lindje e as në perëndim të Shqipërisë në kontinentin tone, ku të përfliten më shumë vlerat perëndimore, ku të predikohen më shumë vlerat e perëndimit si vlera politike, si vlera etike, si kulturore dhe nuk besoj që në ndonjë vend tjetër që e ka përshkuar më parë rrugën e bashkimit me familjen europiane, pas daljes nga periudha e gjatë e regjimit të totalitarizmave sovjetike ta ketë përdorur më shumë fjalën integrim dhe nuk besoj po ashtu, që më pak sesa këtu, në këtë vend, të gjitha këto fjalë të përdorura njësoj si paratë gjatë një krize të madhe inflacioni ku vetëm printohen, printohen, printohen të kenë qenë më larg nga mbartësit dhe përdoruesit e tyre në tërësi.
Një tjetër fjalë e Arbën Xhaferit që nuk besoj ka konkurshmëri të mundshme për nga sinteza që përmbledh në vetëm një fjali, vështirësinë e popujve të Ballkanit për të kapërcyer të kaluarën është si vijon:
“Popujt e Ballkanit vuajnë nga një strabizëm etnopolitik që i bën të shohin shtembwr njëri-tjetrin dhe duke u përpjekur të shtoj diçka që shpresoj do ta gjente Arbënin dakord në ditët e sotme, bazuar edhe nga eksperienca ime. Problemi nuk janë popujt në vetvete, problemi janë udhëheqjet, që në vend se ta kurojnë këtë strabizëm etnopolitik, në fakt e përdorin dhe e shfrytëzojnë, duke u përpjekur në vazhdimësi që objektin e diskutimit dhe të nevojës për të mos e parë shtrembër njëri-tjetrin ta s’postojnë nga qendra dhe ta devijojnë aty, ku shikon syri etnostrabik dhe kështu krijohet në perpetum një vazhdimësi e imponuar, jo nga popujt, por nga udhëheqjet për të stimuluar shikimin e të ardhmes me sytë e së shkuarës.
Ndërkohë që për Shqipërinë, jo vetëm për Shqipërinë, por për Shqipërinë pa diskutim, por edhe për gjithë shqiptarët, unë besoj se ka vetëm një mënyrë të pari për të realizuar atë që Arbën Xhaferri e quan integrimi në sistemin e vlerave europiane. Dhe ka vetëm një mënyrë të pari për ta bërë sistemin e vlerave europiane të funksionojë si një sistem garancish dhe mirëqenieje dhe është e kundërta, është orientimi i shikimit nga e ardhmja dhe të parit të së shkuarës me sytë e së ardhmes. Kjo e bën, sipas meje, të mundur diferencën që me fjalë të gjithë, madje jo të gjithë por në një rendje të mahnitshme përpiqen t’ia kalojnë njëri tjetrit për të thënë që e ardhmja do të jetë me e mirë se e shkuara, por me vepra në fakt shumica bëjnë të kundërtën. E mbajnë të ardhmen peng të së shkuarës.
Dhe e treta dhe e fundit që solla me vete nga fjalët e Arbën Xhaferrit, vepra e të cilit është e kotë tani të thuhet që është një opus shumë përmbarësor kombëtar dhe që do të kërkonte jo vetëm të lexohej, por dhe të rilexohej dhe të diskutohej e të kuptohej jo thjeshtë duke qenë përballë teje por edhe përmes rrahjes së mesazheve të saj nga më shumë sesa ty, thotë: “meqë jetojmë në një botë, kohë të ndërveprimit të kulturave kombëtare duhet konstatuar se shqiptarëve iu mungon propaganda kombëtare në planin ndërkombëtar”. Dhe në pamje të parë ose në reagimin e parë jam i bindur që të gjithë kultivuesit e strabizmit etno politik do thoshin: ka pasur të drejtë. Na duhen më shumë daulle! Na duhen më shumë qeleshe, na duhen më shumë valle shpatash që t’i çojmë nëpër Europë dhe nëpër botë.
Në fakt Arbën Xhaferri thotë krejt të kundërtën. Arbën Xhaferri thotë se propaganda kombëtare në planin ndërkombëtar është diçka krejt tjetër nga mbyllja e perdeve siç janë këto perde sot këtu dhe të propaganduarit mes veti të gjithë asaj pjesë pa diskutim shumë të vlefshme, të patjetërsueshme domosdoshmërish për tu ruajtur të traditës sonë kombëtare, në mënyrë që ne të hedhim këtu valle dhe të gjithë bota matanë këtyre perdeve të na dëgjojë dhe të tundet. Pikërisht hapja e perdeve dhe kapërcimi i këtij raporti strabik etno politik me vetveten është ajo çka Arbën Xhaferri e shkruan, por ndryshe nga shumëkush që mund të shkruajë, apo mund të ketë shkruar ose do të shkruajë në të ardhmen, Arbën Xhaferri ka dhe një karakteristikë tjetër që e bën atë praktikisht një nga personalitetet e mëdha të historisë shqiptare, të historisë politike, por edhe të kulturës shqiptare, që është që kur lexon Arbën Xhaferrin nuk gjen asnjë të çarë mes atyre që ai shkruan dhe atyre që ai në të gjithë jetën e vet aktive është përpjekur të mishërojë me forcën e shembullit.
Sot pata kënaqësinë shumë të posaçme dhe kjo fjala kënaqësi e posaçme është pjesë edhe e manualit të fjalëve të bukura diplomatike por në këtë rast është vërtet kënaqësi e posaçme për mua sa herë Ali Ahmeti vjen në Tiranë ose sa herë më qëllon mua ta takoj diku tjetër, por sidomos kur vjen në Tiranë sepse kur unë e takoj Aliun diku tjetër duhet ta pyes tre herë që të përgjigjet tre minuta, kur Aliu vjen këtu s’kam nevojë ta pyes, Aliu vetëm flet dhe është inspirimi që i sjell baza më e madhe ilegale e luftës çlirimtare Tirana. Kështu ka qenë apo jo? Tani mund ta them megjithëse kohë të vështira janë dhe s’dihet si na e marrin pastaj. Nuk dihet se nganjëherë vjen historia si ajo kënga: ‘mora pushkën dola malit, të luftoja për atdhe. Ku ta dija unë i shkreti se armiku ishim ne”.
Nuk ke çfarë bën. Edhe Arbëni ka shkruar diku në mos gabohem që çdo popull ka heronjtë e vet, ka kryeministrat e vet, ka dhe ata pastaj që përfitojnë nga heronjtë. Gjithsesi Ali, uroj që ti mos të biesh kurrë hero se na duhesh se rruga është akoma e gjatë dhe fatkeqësisht këtu si me dorë futet dhe tema e gjuhës shqipe, e cila në momentin që sot ne flasim është në një kontest të pakuptueshëm dhe të pashpjegueshëm për mua në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.
Unë nuk them që udhëheqësit që besojnë në Gjykatën Kushtetuese të vendeve të tjera e kanë gabim, por unë mendoj që çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut nuk është një çështje e Gjykatës Kushtetuese, nuk është një çështje e ligjeve, nuk është një çështje e vullneteve të përkohshme të partive politike. Them të përkohshme se partitë politike zgjidhen një herë në katër vjet dhe herë janë në një anë herë janë në anën tjetër, herë kanë shumë gjëra në dorë, herë s’kanë asgjë në dorë por gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është një çështje e materies që ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme që jo vetëm ta mbajë bashkë Maqedoninë e Veriut, por edhe të ushqejë një frymë por edhe një mënyrë të të parit të bashkëjetesës mes dy popujve shtet formues të Maqedonisë së Veriut, maqedonasve dhe shqiptarëve në një sens si ai që Arbën Xhaferri e tregon si ëndrrën e tij më të madhe, në sensin e integrimit, në këtë rast dy popujve shtet formues të Maqedonisë së Veriut në sistemin e vlerave perëndimore, politike, etike dhe kulturore dhe kjo është një gjë shumë e madhe për tu futur në labirinthet juridike të cilat tanimë i përkasin të kaluarës pasi shumë vite më parë, Arbën Xhaferi dhe Ali Ahmeti bashkë me të tjerë, por unë këta të dy kam si kokat e shqiponjat së Ohrit, u vendos në piketat e bashkëjetesës paqësore dhe e shtetndërtimit europian të Maqedonisë së atëhershme dhe Maqedonisë së Veriut të sotme dhe nuk u vendos nga Arbën Xhaferi dhe Ali Ahmeti, por u vendos nga shqiptarët të përfaqësuar në tavolinë nga Arbën Xhaferi dhe të vendosur në male nga Aliu dhe maqedonasve të përfaqësuar nga përfaqësuesit e tyre më të lartw të kohës që kërkoj ndjesë, por nuk i kam në kujtesën time dhe nuk besoj se ky është një problem, as për ne e as për ata.
Sot nga ky podium, nga kjo foltore, ku është i shkruar emri i një prej shqiptarëve nga më të mëdhenjtë, një shqiptar i madh, por jo një “shqiptaromadh” – që të jemi të qartë, – që kanë jetuar në tokat e banuara nga shqiptarët, trajektorja e jetës së të cilit është në vetvete një film, por mua më duket se është dhe një predikim, lindur në Tetovë studiuar filozofi në Beograd, punuar në RTV shtetëror në Prishtinë dhe rikthyer prapë, aty ku lindi për të vendosur një gur shumë të rëndë themeli të shtetit të Maqedonisë së Veriut dhe ai gur nuk është mirë të preket. Ai gur është mirë vetëm të mbahet pastër dhe të jetë një pikë referimi për shqiptarët dhe për maqedonasit dhe për të gjithë minoritetet e tjera që jetojnë atje sepse ai është guri që bashkoi, – unë besoj pa kthim në rrugën e integrimit, në atë që e përsëris për të tretën here, Arbën Xhaferri e konsideron ëndrrën e tij më të madhe, në sistemin e vlerave perëndimore, politike, kulturore dhe etike. Dhe me fjalën “etike” mbyllet dhe kjo përpjekja ime që, jo të mos dal keq përpara jush se me ju rregullohem, por për të mos dalë keq me Arbën Xheferrin që jam i bindur na shikon diku nga lart dhe nuk e dyshoj fare që buzëqesh gjithmonë sa herë i shfaqet përpara Ali Ahmeti.
Faleminderit.
/Argumentum.al