Ditën e sotme, policia e shtetit dhe e bashkisë së Tiranës kanë kërkuar të bastisin zyrat e partisë opozitare, Fryma e Re Demokratike. Policia ka ushtruar dhunë ndaj drejtuesit të FRD, Sali Shehu dhe ka tentuar nxjerrjen me forcë të tij dhe drejtuesve nga godina. Kreu i FRD ka njoftuar Presidentin Meta për atë që po ndodhte dhe kreu i shtetit ka shkuar në zyrat e FRD.
Për këtë ngjarje të paprecedentë kanë reaguar dhe drejtuesit e opozitës.
Partia Demokratike ka dënuar aktin e dhunshëm të policisë kundër partisë Fryma e Re Demokratike.
Në një deklaratë për mediat, PD shprehet se sjellja e policisë dëshmon rrezikun që përbën Edi Rama për demokracinë.
“Partia Demokratike dënon aktin brutal, të urdhëruar nga Edi Rama kundër partisë Fryma e Re Demokratike. Përdorimi i forcës policore kundër një partie politike është treguesi më domethënës se Edi Rama është kundërshtar i lirisë dhe i demokracisë”,- thuhet në reagimin e PD.
Partia Demokratike dënon aktin brutal, të urdhëruar nga Edi Rama kundër partisë Fryma e Re Demokratike. Përdorimi i forcës policore kundër një partie politike është treguesi më domethënës se Edi Rama është kundërshtar i lirisë dhe i demokracisë.
Vendimi për të nxjerrë FRD-në nga selia për arsyen e vetme se doli në opozitë dhe iu bashkua koalicionit të PD-së provon se Edi Rama është një politikan hakmarrës dhe i rrezikshëm për demokracinë dhe për qytetarët.
Edi Rama po vepron në panik, pasi ai e kupton më mirë se kushdo që është i humbur. Në 25 prill , pushteti i tij autoritarist, shteti i tij policor do të marrë fund! Qytetarët do të votojnë për PD dhe koalicionin tonë për të sjellë ndryshimin!
Kreu i PAA, Agron Duka shprehet se ky është një akt arbitrar.
“Një akt arbitrar që tregon mënyrën abuzive me të cilën vepron Edi Rama, për sa kohë FRD ishte në koalicion me PS-në, nuk ua prekte zyrat, tani që ka kaluar në opozitë, i ushtrojnë presion duke i larguar nga zyrat. Ky është një provokim që synon përkeqësimin e klimës zgjedhore, një sulm politik për të shmangur vëmendjen nga dështimi katastrofik i Edi Ramës nëpërmjet goditjeve të tilla. Unë i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë mbi këtë sulm politik, i cili është në vijimësi të përpjekjeve të Edi Ramës për të kompromentuar zgjedhjet e 25 prillit, sikurse e kam denoncuar në rastin e Shijakut, ku krimi dhe përfaqësues të Rilindjes vijojnë simbiozën e tyre në kurriz të zgjedhjeve të lira”,- tha Agron Duka.
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu tha se ngjarja e sotme tregon se nuk kemi shtet, por bandë.
“Ky s’është shtet, por një grup banditësh që veprojnë në Shërbim të Edi Ramës. Largimi nga zyrat i një partite politike, kushdo qoftë ajo, në fushate është akt kriminal që tregon se Rama nuk do ndalet në rrugën e tij të manipulimit të zgjedhjeve prandaj shqiptarët duhet të bashkohen me një front me çdo qendër votimi për t’i përballur me manipulatorët dhe regjimin e Edi Ramës”,- tha Fatmir Mediu.
Në një intervistë për Ora News, kryetari i LZHK-së Dashamir Shehi u shpreh se zyrat e FRD-së mund të zbrazeshin pas zgjedhjeve dhe me shkresa ligjore.
Sipas Shehit, presidenti Meta u fut në mes të kësaj përplasjeje duke u konfrontuar me policinë bashkiake.
Shehi tha se situata të tilla pritet të rëndohen me afrimin e zgjedhjeve, pasi sipas tij Rama e ka humbur kontrollin.
Dashamir Shehi: Është klima e zgjedhjeve që ka krijuar pushteti i sotëm i Ramës me gjithë këto veglat. FRD u bashkua me opozitën pak ditë përpara dhe një muaj para zgjedhjeve ju dashkan këto zyra. Që të ketë dhe ca elementë vërtetësie në këtë mes, pse kaq urgjente janë këto zyra, zyrat e zjarrfikëses janë? Lëri partitë të mbarojnë zgjedhjet dhe më pas çoi dokumentacionin me vulë dhe formë, sipas ligjit. Pasi të dalin vendimet mund të largohet, jo të shkosh në mes të Tiranës me dhunë dhe me polici.
Në këtë mes ka ndërhyrë edhe presidenti Ilir Meta. Presidenti mund të jetë i mirë ose i keq, por është kryetari i shtetit. Nuk mund t’i bëhet presion presidentit duke thënë që nuk pyetet as për presidentin, duke i dhënë një sinjal edhe votuesve. Ky është një turp i madh. Sikur presidenti duke pirë kafe të ishte duke bërë, duhet respektuar, jo të ngresh policinë kundër tij. Kjo tregon se Rama e ka humbur kontrollin dhe çdo ditë ngre marrina të reja. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që ta largojmë, sepse deri në zgjedhje do të kemi një klimë të nxehtë politike në vend. Këto incidente do të përsëriten edhe në qytete të tjera.
Shehi shtoi se Rama është marrë me të duke e tallur, por tha se një person duhet të mbajë përgjegjësi për detyrat e tij publike dhe jo ato personale.
Dashamir Shehi: Unë jam një shqiptar normal dhe nuk turpërohem për këtë punë. Ky është një idiotizëm i një njeriu të poshtër, sepse një njeri publik duhet të mbajë përgjegjësi për detyrat e tij publike. Jam dakord që të kritikohem për detyrën time, p.sh që kam qenë deputet dhe për këto përgjigjem, por ky merret me çështje personale. Mua nuk ka çfarë të merret. Unë e akuzoj si një njeri të korruptuar dhe si një njeri që ka abuzuar dhe që ka vjedhur Shqipërinë dhe e ka mbjellë vendin e drogë. E akuzoj se e ka lënë vendin 8 vite jashtë Evropës. E akuzoj se e ka drejtuar politikën e jashtme drejt Turqisë dhe Arabisë. Unë e akuzoj për gjëra konkrete, ku janë paratë e shqiptarëve?
/argumentum.al