Presidenti Ilir Meta ka kërkuar nga qeveria angazhim maskimal për përballimin e pandemisë. Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehet se duhet një angazhim më i madh dhe se çdo ankesë e qytetarëve duhet duhet trajtuar me përgjegjësi maksimale dhe në mënyrë urgjente, pasi çdo vonesë rrezikon jetë dhe kjo është e papranueshme.
Duke u ndaluar në rastet e publikuara në media të qytetarëve që presin jashtë spitalit, Presidenti deklaron se “shtimi i urgjencave me qytetarë të prekur nga COVID-19 në gjendje të rëndë, të cilët vijnë drejt spitaleve të Tiranës dhe detyrohen të presin gjatë në autoambulanca, kërkon marrjen e masave të menjëhershme, që kjo situatë të mos përsëritet”.
Mesazhi i plotë i kreut të shtetit për situatën e pandemisë në vend:
“Shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e situatës së pandemisë COVID-19.
Rastet e shtuara të humbjeve së jetëve, si dhe të qytetarëve të infektuar, përbëjnë një preokupacion madhor.
Shtimi i urgjencave me qytetarë të prekur nga COVID-19 në gjendje të rëndë, të cilët vijnë drejt spitaleve të Tiranës dhe detyrohen të presin gjatë në autoambulanca, kërkon marrjen e masave të menjëhershme, që kjo situatë të mos përsëritet.
Kërkohet një organizim i fortë, që u jep përgjigje të menjëhershme problemeve të shumta dhe shpesh të dhimbshme të qytetarëve lidhur me COVID-19.
Çdo ankesë e qytetarëve, duhet trajtuar me përgjegjësi maksimale dhe në mënyrë urgjente, pasi çdo vonesë rrezikon jetë dhe kjo është e papranueshme.
Qeveria duhet të bëjë maksimumin në këtë luftë me pandeminë, duke mos kursyer financimet e nevojshme dhe mobilizimin e organizuar të të gjitha resurseve njerëzore për përballimin e saj.
COVID-19 është një armik i rrezikshëm dhe duhet trajtuar si i tillë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së çdo qytetari “.